E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni vjen me 2.4 miliardë euro

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni rikthehet në Shqipëri pas gjashtë vitesh. Shefi i qeverisë italiane do të mbërrijë sot në mesditë në Tiranë, ku do të takohet me krerët e lartë të shtetit, Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryetarin e PS-së dhe kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Në orën 11:00, Kryeministri Berluskoni do të mbërrijë në aeroportin e Tiranës dhe 20 minuta më pas ai do të jetë në godinën e Këshillit të Ministrave. Për 50 minuta dy kryeministrat do të jenë në bisedime kokë më kokë me njëri-tjetrin, ku pika më thelbësore e vizitës së shefit të qeverisë italiane dhe bisedës së tyre është nënshkrimi i disa marrëveshjeve energjetike me vendin tonë. Në mesditën e sotme, Kryeministri Berisha dhe i ftuari i tij, Silvio Berluskoni do të mbajnë edhe një konferencë për shtyp në të cilën do të bëhen publike edhe detajet e marrëveshjeve të nënshkruara mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare. Batutat e fundit të Kryeministrit italian në takime me zyrtarët e lartë, si me kancelaren gjermane Anxhela Merkel dhe Presidentin rus, Medvedev, kanë bërë xhiron e botës. Në këtë mënyrë edhe Kryeministri Berisha pritet të kthehet sot në "tabelën e qitjes" së batutave pikante të numrit një të qeverisë italiane. Menjëherë pas konferencës për shtyp, delegacioni italian do të drejtohet për në Pallatin e Brigadave ku do të priten nga Presidenti Bamir Topi. Pas takimit të veçantë me Kryeministrin italian, Presidenti Topi do të shtrojë një drekë për nder të shefit të qeverisë italiane. Në rast se protokolli i axhendës së vizitës së Kryeministrit italian nuk do të ndryshojë, në këtë drekë do të marrin pjesë edhe Kryeministri Berisha, Kryeparlamentarja Topalli dhe kreu i PS-së, Rama. Një takim i tillë i zyrtarëve të lartë kishte kohë që i kishte munguar vendit, që pas vizitës së Presidentit Xhorxh Bush në Tiranë. Vlen të theksohet se autoritetet në Tiranë, pavarësisht nga ngjyrimi i tyre politik, e shohin Italinë si partnerin kryesor strategjik në marrëdhëniet ekonomike dhe politike. Madje asnjëherë nuk është ngurruar që Italia të cilësohet si Avokati i Shqipërisë në përpjekjet e saj për të përshpejtuar hapat drejt integrimit evropian të vendit. Ndër marrëveshjet që priten të nënshkruhen në godinën e Kryeministrisë, dy ministrat e kabinetit "Berisha", Genc Ruli dhe Sokol Olldashi, do të jenë pjesa kyçe e takimit, për nënshkrimin e bashkëpunimit Shqipëri-Itali. Integrimi i Shqipërisë pritet të jetë një tjetër temë e nxehtë e kërkuar nga Tirana zyrtare. Nga pala italiane pritet që të rikonfirmohet mesazhi për Shqipërinë nga vizita disa orëshe e shefit të qeverisë italiane në Tiranë. Axhenda e Kryeministrit Berluskoni është përqendruar në takimin me Kryeministrin Berisha, firmosjen e disa marrëveshjeve ekonomike dhe një konferencë të përbashkët shtypi të dy kryeministrave të cilët njihen edhe për miqësinë e vjetër politike mes tyre.

Axhenda e vizitës së Berluskonit

Ora 11:00 Mbërritja në Aeroportin e Tiranës, Rinas.

Ora 11:20 Mbërritja në Godinën e Këshillit të Ministrave,

ceremonia e mirëseardhjes.

Ora 11:30 Bisedimet mes Kryeministrit italian Silvio Berluskoni dhe Kryeministrit Sali Berisha.

Ora 12:20 Ceremonia e firmosjes së marrëveshjeve dhe akteve.

Ora 12:30 Konferenca për shtyp.

Ora 13:15 Transferimi i delegacionit italian në Pallatin e Brigadave.

Ora 13:20 Takim mes Kryeministrit Berluskoni dhe Presidentit Topi.

Ora 13:25 Dreka e ofruar nga Presidenti Topi, ku marrin pjesë Kryeministri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryetari i PS-së dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Takimi

Dy kryeministrat do të konkretizojnë përfundimisht ecurinë e projekteve energjetike

Projektet për energji nukleare pritet të jenë temë e bisedimeve

Takimi i Kryeministrit Berisha, zhvilluar një vit më parë në Tiranë me dy kompani amerikane rreth projektit bërthamor të energjisë elektrike, solli ndryshime të mëdha te fqinjët tanë përtej Adriatikut. Si nesër një vit më parë, vendin tonë do ta vizitonte Kryeministri Romano Prodi (sot në opozitë), ku thelbi i takimit me homologun e tij shqiptar do të ishte padyshim projekti i ndërtimit të centralit nuklear. Që prej asaj vizite e deri më sot, kur ka kaluar një vit, takimet e kompanive italiane me kabinetin "Berisha" janë bërë më të shpeshta. Por jo vetëm kaq. Kujtojmë se rreth një muaj më parë vendin tonë e vizitoi edhe ministri i Jashtëm Franko Fratini, i cili firmosi presë projekte, kryesisht energjetike, për t‘u zhvilluar në vendin tonë. Italia po vuan nga kërkesa e lartë për konsum të energjisë elektrike, ndërsa furnizuesi kryesor i saj mbetet Franca. Nisur nga situata gjeopolitike me Rusinë për gazin e lëngshëm dhe me vendet ku Italia importon energji elektrike me çmime tepër të larta, e bën planin për ndërtimin e centralit nuklear në Shqipëri tepër tërheqës. Në parim palët kanë rënë dakord që financimi i projektit do të merret parasysh nga pala italiane. E përkthyer ndryshe, kjo do të thotë që një pjesë e prodhimit do të shkojë për të furnizuar Italinë me një çmim që palët do ta vendosin në kontratë në varësi të periudhës. Por italianët nuk "duan" vetëm nuklearin, i konsideruar "mollë e ndaluar" për ta që në ‘87-ën, falë referendumit. Kompania ENEL ka lidhur një kontratë me qeverinë shqiptare për ndërtimin e dy termocentrale në pjesën bregdetare të Durrësit, ku fuqia transmetuese e energjisë elektrike mendohet të jetë rreth 1600 megavat. Të tjera projekte po në sektorin e energjisë elektrike lidhen me zonat në perëndim të vendit, duke nisur me Lezhën e deri në Llogora, ku parashikohet të ndërtohen disa parqe ekologjike me vlerë investimi gjysmë miliardë euro. Deri tani çdo veprim është ndërmarrë në bazë të takimeve bilaterale dhe marrëveshjeve paraprake, pa thënë fjalën e fundit. Kësisoj, vizita e Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, e dyta në Shqipëri, do të shërbente për të sqaruar pozicionin e qeverisë italiane rreth të ardhmes energjetike mes dy vendeve.

Kryeministri 72 vjeçar që zotëron 9.4 miliardë dollarë

72 vjeçari, Silvio Berluskoni, është një nga ata politikanët e "rrallë" evropianë, por edhe më gjerë, i cili thuajse gjithmonë përbën lajm. I ardhur nga fusha e biznesit, Kryeministri italian, ka lindur në qendrën industriale të Italisë, në Lombardi dhe është padyshim një nga njerëzit më të suksesshëm të kontinentit. Berluskoni përbën të tretin Kryeministër më jetëgjatë të Italisë, ngaqë këtë post e ka gëzuar tre herë: nga viti 1994 deri në 1995, nga viti 2001 deri në vitin 2006, dhe që nga vera e këtij viti, ai është sërish në krye të ekzekutivit të vendit fqinj. Berluskoni është drejtuesi i një partie të madhe politike të qendrës së djathtë, që quhet "Il Popolo della Libertà"(Populli i Lirisë". Ai qeveris bashkë me partinë Aleanca Nacionale të Xhanfranko Finit dhe Ligës së Veriut të Umberto Bosit.

Berluskoni është themeluesi dhe aksioneri më i madh i Fininvest, një nga dhjetë kompanitë më të mëdha private të vendit. Kjo ndërmarrje ka në zotërim tre nga televizionet më të mëdha kombëtare, por edhe disa televizione dixhitale, si edhe një nga revistat më të shitura në vend. Silvio Berluskoni është edhe pronari i një nga klubeve të futbollit më legjendarë të botës, "AC Milan", i cili ka fituar trofe të mëdhenj kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Së bashku me Enio Doris, Berulskoni themeloi Mediolanum SpA, një nga shoqëritë më të mëdha të sigurimit në Itali. Sipas revistës "Forbes", Berluskoni është personi i tretë më i pasur në Itali dhe zotëron asete që arrijnë shifrat e 9.4 miliardë dollarëve. Kryeministri italian, së bashku me këngëtarin napolitan, Mariano Apiçela ka shkruajtur dy albume me këngë napolitane: "Meglio ‘na canzone", në 2003 dhe "L‘ultimo amore", në 2006. Berluskoni njihet nga të gjithë si politikan piktoresk, i cili nuk e ka profesion politikën dhe i pëlqen shpesh ta thotë atë, kur bën gafa të herëpashershme.

Kryeministri italian vjen me

2.4 miliardë euro për 2 projekte

Projekte gjigante në fushën e energjisë, duke përfshirë dhe centralin më të madh elektrik me erë, do të firmosen në tavolinën diplomatike, kur Silvio Berluskoni, Kryeministër i Italisë, do të takojë Sali Berishën, homologun e tij shqiptar në Tiranë sot.

Kriza kronike energjetike e Shqipërisë dhe ambiciet e z. Berisha për të krijuar një qendër rajonale të energjisë në vendin e dytë më të varfër në Evropë, ka hapur një treg të ri për shumë kompani italiane. Gjithçka përballet me një urgjencë për z. Berisha, pasi ai përballet me zgjedhjet parlamentare në qershor dhe ka nevojë të bindë shqiptarët se do ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë ngërçin e mungesës së energjisë elektrike. Kryeministri shqiptar po ofron mundësi tërheqëse për investitorët, duke përfshirë edhe toka që janë nën pronësinë e shtetit, që jepen me qira, nën nismën e famshme "Shqipëria një euro". Megjithatë, njerëzit e përfshirë në këto projekte, theksojnë se kjo mund të sjellë shtyrje të mëtejshme, mundësi për korrupsion, mungesë transparence në aprovimin e procedurave, probleme me pronarët e tokave, si dhe rezistencën e ambientalistëve. Një nga kompanitë e huaja është e përfshirë në akuza për dhënie ryshfetesh ndaj zyrtarëve shqiptarë, por Tirana insiston se ka zbatuar procedurat e BE-së. Sipas axhendës zyrtare, ministri shqiptar i Energjisë, Genc Ruli, do të firmosë dy projekte të rëndësishme energjetike, njëri që kap vlerën e 1.3 miliardë eurove, kontratë për grupin italian "Falcione" për të ndërtuar fushën gazsjellëse afër Fierit në jug të Shqipërisë dhe një linjë nëndetare gazi për në Itali, si dhe një kontratë me vlerë 1.15 miliardë euro, me kompaninë siciliane të ndërtimit "Moncada", për ndërtimin e një centrali me erë në gadishullin e Karaburunit dhe një linjë kabllore që kalon në detin Adriatik nga Shqipëria në Itali. Deficiti italian i energjisë dhe problemet e brendshme, e kanë shtyrë Romën të kërkojë infrastruktura të reja, duke e kthyer Shqipërinë një opsion atraktiv si burim energjie. Propozimi i Moncada-s për një central me erë, që përmban 250 turbina dhe që përbën një nga projektet më të mëdha në Evropë, që janë ndërtuar deri tani. Falcione duket se ka mundur rivalin në këtë projekt, ASG Power, një kompani me qendër në Zvicër dhe që zotërohet 75% nga Agim Gjinali, një biznesmen shqiptar nga Kosova. Ky projekt propozon ngritjen e depozitave të gazit që do të sillet nga Afrika e Veriut dhe Katari, duke furnizuar kryesisht Italinë, por edhe industrinë shqiptare. Si përfitim, Marseglia grup, tha se z.Berluskoni dëshiron të presë vetë shiritin e përurimit të centralit me erë dhe linjës elektrikë nënujore, i cili tashmë është aprovuar. Por zyra për shtyp e Berluskonit ka mohuar se kjo është në axhendë. Më vonë Marsaglia bëri të ditur më vonë për "Financial Times" se do të ketë vetëm një takim mes përfaqësuesve të kompanive.

Bisedimet

Përveç ekonomisë, në axhendë edhe çështja e emigracionit

Një tjetër axhendë e bisedimeve zyrtare ndërmjet Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, dhe homologut të tij, Sali Berisha, do të jetë dhe çështja e nxehtë e emigracionit, e cila shihet si një problem për qeverinë e qendrës së djathtë të Romës. Siç bëjnë të ditur mediat italiane, Berluskoni do të firmosë edhe një marrëveshje për çështjen e emigracionit nga Shqipëria në Itali, e cila do të lehtësojë procedurat e punësimit të shqiptarëve në vendin fqinj. Ndërkaq, po sipas mediave italiane, mbetet ende në vendnumëro çështja e liberalizimit të vizave. Rikthimi i "kavalierit" në Tiranë pas gjashtë vitesh përbën një ofensivë të re diplomatike të Romës zyrtare ndaj Shqipërisë për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike dypalëshe. Prej vitesh, Italia ka mbajtur një qëndrim paksa pritës tek ofertat që do të bënte Tirana zyrtare. Një vit më parë, Kryeministri i atëhershëm italian, Romano Prodi, i cili vizitoi Tiranën, gjatë një interviste për "Top Channel" theksoi se Shqipëria duhet të zgjedhë për partner strategjik midis Athinës dhe Romës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›