E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-agjenti i SHIK-ut pret Vitin e Ri në burgun anglez

Për të parën herë në jetën e
tij, Ilir Kumbaro do të
kalojë Krishtlindjet dhe
Vitin e Ri në një qeli burgu, mes
ankthit se cili do të jetë fati i procesit
të ekstradimit gjatë vitit
2009. Ish-punonjësi i SHIK-ut,
Kumbaro, është lënë në qeli nga
një gjykatës britanik deri më datë
27 janar 2009, ku ai së bashku me
avokatin mbrojtës do të prezantojnë
një sërë provash se ai nuk
është Ilir Kumbaro por Shaqa
Shatri, një shtetas nga Jugosllavia.
Gjatë seancës se djeshme në
"City of Wesminster Magistrate
Court në Londër" janë mësuar të
tjera mistere që kanë të bëjnë me
një fshehje pothuajse perfekte
nga ish-shikasi Kumbaro, i cili siç
pretendon pala shqiptare dhe
oficerët e Scotland Yard, ka ndërtuar
një identitet të ri.
Procesi
Pala mbrojtëse e Kumbaros
nuk ishte gati t‘i parashtronte
gjykatës argumentet se personi i
arrestuar është Shaqa Shatri dhe
jo Kumbaro, ish-drejtori i SHIKut
për Tiranën që akuzohet për
rrëmbim, torturë dhe vrasje me
dashje të Remzi Hoxhës. Që në
fillim të seancës së djeshme
gjyqësore, që ka zgjatur më
shumë se 60 minuta, Ilir Kumbaro
ka shpalosur shenja nervozizmi
kur i është kërkuar t‘i
thotë gjykatësit emrin dhe datën
e lindjes. "Mos vallë doni t‘ju pohoj
edhe tri data të ndryshme të
ditëlindjes time që keni në dosje",
është përgjigjur ai në anglisht me
zë të lartë. Më tej Kumbaro me
ndihmën e një përkthyeseje ka
vijuar dëgjimin e seancës së
katërt gjyqësore që kur u arrestua
në mesin e tetorit 2008. Kumbaro,
63 vjeç, përfaqësohet në këtë
proces ekstradimi nga avokati
Xhon Xhons. Ai i kërkoi gjykatës
më shumë kohë për mbledhjen
e provave, ku përmes të cilave do
të vërtetohet se klienti i tij është
Shaqa Shatri dhe jo Ilir Kumbaro.
"Na rezulton se në shërbimin
mjekësor NHS ekzistojnë dy
dosje, njëra me emrin Shaqa Shatri
dhe tjetra me emrin Ilir Kumbaro",
deklaroi ai. Në këtë moment
ka ndërhyrë gjykatësi
Evans, i cili e pyeti se si do të
mund të siguronte dosjen "Kumbaro"
kur ndërkohë ai në këtë
proces përfaqëson Shaqa Shatrin,
pasi një dosje e tillë është
tërësisht konfidenciale me akses
të limituar vetëm nga personi me
të njëjtin emër. "I kemi kërkuar
mjekut të familjes që ka dosjen e
Ilir Kumbaros të na vërë në dispozicion
të këtij procesi gjyqësor
atë dosje", ishte përgjigjja e
avokatit.
Më tej ai ka vazhduar së argumentuari
përse i duhet më
shumë kohë, duke treguar një element
të ri, të padeklaruar më
parë, që ka të bëjë me një ekspert
kriminalistik, i cili po harton një
raport për mbrojtjen. "Po presim
raportin e një eksperti që ka kryer
krahasimin e fotos së klientit
tim kur ai ka kërkuar azil në vitin
1996, me portretin e tij të sotëm,
nëpërmjet metodës "Facial mapping",
ka thënë avokati Xhons, i
cili për herë të parë ka treguar të
plotë strategjinë e mbrojtjes që
do të vihet në zbatim në seancën
e radhës.
Mbrojtja
Avokati i Kumbaros ka hedhur
hije dyshimi për autoritetet shqiptare,
duke i akuzuar ata indirekt
për fshehje të fakteve të
tjera që nuk janë përfshirë në
dosjen me dokumente nisur
gjykatës. Pretendimi i tij kishte të
bënte me faktin e një procesi
gjyqësor në vitin 2003, ku së
bashku me tre persona të tjerë Ilir
Kumbaro është dënuar në mungesë
dhe se gjykata ka rrëzuar
akuzat. Avokati Xhons nuk ka
paraqitur ndonjë provë shkresore
për të mbështetur pohimin e tij.
"E nëse kjo është e vërtetë, kredibiliteti
i kërkesës së palës shqiptare
në këtë proces është tejet
i ulët dhe kjo nëse është e
vërtetë do të më bëjë të dërgoj në
shtëpi zotin Shatri", ka thënë
gjykatësi, duke ju drejtuar përfaqësuesve
të shtetit shqiptar.
"Në seancën e ardhshme do të
mësoj të vërtetën nga pala shqiptare
rreth këtij pretendimi të
zotit Xhons", deklaroi ai. Në fund
të kësaj seance, kërkesa e avokatit
Xhons është pranuar nga
gjykatësi Nikolas Evans, i cili tha
se është i prirë që ky proces ekstradimi
të përfundojë sa më
parë. Përfaqësuesja e shtetit shqiptar
në këtë proces nuk ka
paraqitur asnjë argument,
ndërkohë që ka mohuar në
mënyrë kategorike se gjatë kontrollit
të shtëpisë ku banonte Ilir
Kumbaro të jetë gjetur një certifikatë
e të birit lëshuar nga zyra e
gjendjes cilivile në Tiranë me
emrin Ervin Ilir Kumbaro. Ky fakt
u bë publik disa ditë më parë, dhe
u referohej burimeve nga
prokuroria shqiptare. Palët në
këtë proces do të paraqesin argumentet
e tyre më 27 janar 2009,
ndërkohë që disa javë më vonë
gjykatësi do të japë vendimin
nëse personi i arrestuar është
Shaqa Shatri apo Ilir Kumbaro.
Seanca e djeshme është ndjekur
nga tre të afërm të Kumbaros, të
cilët qëndronin në galerinë e publikut,
së bashku me dy përfaqësuese
të "Amnesty International",
të cilat janë përfshirë në çështjen
e Remzi Hoxhës, duke ushtruar
presion në qeverinë shqiptare për
një hetim transparent.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›