E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi kundër Iranit mund të destabilizojë Lindjen e Mesme

Sulmi kundër Iranit mund të ketë pasoja tejet destabilizuese në tërë Lindjen e Mesme, ka deklaruar një zyrtar i lartë i ushtrisë amerikane, duke theksuar se diplomacia mbetet vendimtare.

Shefi i shtabit të bashkuar të shefave të ushtrisë së SHBA-së, Mike Mullen, theksoi se ushtria amerikane është e përgatitur për çdo eventualitet në lidhje me Iranin, përkundër angazhimit të saj në luftërat në Irak dhe Afganistan. Ai me këtë rast nënvizoi burimet potenciale të flotës detare dhe të forcave të ajrore.

“Ne për një kohë të gjatë jemi përqendruar te Irani dhe kemi kuptuar se cili mund të jetë potenciali”, tha Mullen.

Ai shtoi se autoritetet në Teheran janë në shtegun, i cili në vete bartë synimin strategjik për të zhvilluar armë bërthamore, akuzë kjo e cila mohohet nga Irani.

“Mendoj se potenciali i Iranit bërthamor mund të ketë epilog tejet destabilizues, por në anën tjetër, edhe sulmet e mundshme kundër Iranit mund të kenë epilog destabilizues. Brengosem për pasojat e padëshirueshme të të dy këtyre skenarëve”, tha Mullen.

Ai shtoi se është duke përcjellë nga afër ngjarjet e fundit në Iran dhe theksoi se është i bindur se trazirat dhe incidentet në këtë vend do të vazhdojnë.

Presidenti amerikan, Barack Obama, ja ka ofruar Iranit mundësinë që të angazhohet më fuqishëm me SHBA-në, nëse Teherani arrin të eliminojë frikën e perëndimit për programin e vet bërthamor dhe për çështjet tjera.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›