Si do mbushet gropa e remitancave?
KAKAVIJE -Një shofer furgoni taksi në Elbasan thotë pa frikë: “Nuk patëm shumë punë këtë fundviti. Vjet nga Kakavija sollëm 15 mijë emigrantë në Elbasan për pushimet. Në dy javë nxorëm paratë e tre muajve. Tani s’ka më qofte ke daja, ka rënë pjaca. Sollëm a nuk sollëm këtë vit vetëm pesë mijë”. Shoferi shikon të ardhurat e tij më të pakta, nga emigrantët e rralluar. Njëlloj si ai, edhe i gjithë vendi duhet të fillojë të llogarisë të ardhurat në nivelin e ekonomisë kombëtare, pasojën e emigrantëve që po bëhen “gurë të çmuar” në atdhe, duke sjellë po ashtu shumë më pak para se më parë. E ndjejnë dentistët që pothuajse nuk patën punë fare këtë dhjetor, kur më përpara në klinikat e tyre dyndeshin emigrantët. E ndjejnë kasapët që shesin përherë e më pak mish. Praktikisht e ndjejmë të gjithë, pse një ndikim të menjëhershëm prurjet më të pakta të emigrantëve kanë tek kursi i këmbimit të lekut me euron. Në ditët e fundvitit gjatë më shumë se 8 viteve të kaluara, leku na kishte mësuar që me ardhjen masive të emigrantëve dhe sjelljen nga ana e tyre nëpër çorape, në çanta ose me transferime nga agjenci bankare të flukseve të konsiderueshme të eurove, ai fitonte bindshëm. Monedha jonë kombëtare fitonte një ose dy për qind në këmbim me euron. Këtë vit nuk ndodhi asgjë. Leku u ngrit shumë pak, as 0.5 për qind, me paterica. Dhe pritet që gjatë janarit të bjerë prapë në nivelin e fundit të nëntorit 2009. Kjo do të thotë që një nga motorët që shtynin përpara ekonominë tonë, remitancat, dërgesat e emigrantëve, nuk po mbush mirë. Në vitin 2007, këto dërgesa parash në Shqipëri nga ana e emigrantëve tanë përbënin (sipas IOM, organizatës së mirënjohur në botë për emigrantët) 12.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Nuk ka rëndësi të ndalemi tek faktorët që detyrojnë emigrantët të sjellin më pak para (kriza, pasiguria për vendin e punës, integrimi i emigrantit në vendin e huaj, etj). E rëndësishme është që kjo si dukuri do të vijojë dhe mund të theksohet e thellohet edhe më tej gjatë këtij viti. Prandaj duhet të llogarisim mirë humbjen. Duke qenë se Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë këto vitet e fundit është aty rreth 10 miliardë euro, i bie që për çdo një për qind që dërgesat e emigrantëve të bien, vendi humb 100 milionë euro. Gjatë vitit 2009, dërgesat, po sipas IOM, përbënin 9.6 për qind të prodhimit të vendit. Ose afro 3 për qind më pak se dy vjet më parë. Thënë më ndryshe, nga 800 milionë euro që emigrantët sollën në vitin 2008, remitancat për vitin që sapo mbaroi ishin vetëm 600 milionë. Kush do të na i zëvendësojë këto 200 milionë euro të humbura në vitin 2009? Kur kësaj grope i shton edhe paratë më pak të ardhura nga rënia e eksporteve, kupton vështirësinë kryesore me të cilën do të përballet ekonomia jonë gjatë këtij viti: mungesën e valutës, sidomos të euros. Mund të shpresonim tek turizmi, por duke parë rritjen me 10 për qind të numrit të familjeve shqiptare që shpenzojnë qindra e mijëra euro secila në Dubai, Sharm-El Sheik, Mal të Zi apo Maqedoni edhe në pushimet e Vitit të Ri, kupton se po aq para që vendi i mbledh nga turistët e huaj, ata kosovarë e shqiptarë nga Maqedonia në verë, po aq edhe i lë me pushimet e shqiptarëve të Shqipërisë në dhe të huaj gjatë verës dhe madje edhe tani, në dimër. Atëherë, ku na ngeli të shpresojmë? Tek ndërtimi? Jo, pse ai është në ditë të hallit me borxhet që i ka qeveria dhe me rënien e kërkesës për apartamente nga ana e popullatës. Tek tregtia? Sërish jo, pse importet kanë rënë dukshëm, nga ulja e kërkesës së konsumatorëve shqiptarë. E vetmja dritë shprese duket sektori i gjerë dhe me shumë potenciale i bujqësisë. Por bujqësia, që të të kthejë, ka nevojë për investime të forta. Dhe nuk duket që buxheti i shtetit për këtë vit, edhe pse i rritur konsiderueshëm si fonde për këtë sektor, mund të na japë atë që shpresojmë, mbushjen e gropës së 200 milionë eurove që nuk na vijnë nga emigrantët. Të vetmen gjë që mund të bëjmë është të shtrëngojmë mirë rripat, të konsumojmë me zgjuarsi e nikoqirllëk, duke lënë mënjanë shpenzimet e tepërta, me njërin sy tek raporti i lekut me euron, tek ndonjë kredi që mund ta kemi marrë në euro dhe tek të ardhurat që i bëjmë në lekë. Disa studiues të ekonomisë parashikojnë se euro, shpejt a vonë do të blihet me një mijë e katërqind lekë të vjetra. Dëshiron njëri të guxojë të vërë bast për jo?(G.SH,BalkanWeb)