E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jemeni nuk dëshiron të bëhet Irak i dytë

Në momentin kur Jemeni po shndërrohet në një front të ri kundër terrorizmit, udhëheqësit e këtij vendi dëshirojnë të qartësojnë një gjë: ky vend nuk synon të shndërrohet në një Irak apo Afganistan të dytë, me mijëra ushtarë të stacionuar amerikanë në territorin e vet.
Ministri i Jashtëm i Jemenit, Abu Al Qirbi, tërhoqi disa vija të kuqe, kur bëhet fjalë për aleancën e vendit të tij me Washingtonin, duke theksuat se Jemeni mirëpret për trajnim, inteligjencë dhe përkrahje logjistike forcat amerikane dhe ato ndërkombëtare.

“Por jo në ndonjë kapacitet tjetër. Jemenasit janë tejet të ndjeshëm kur bëhet fjalë për praninë e forcave të huaja luftarake”, theksoi Qirbi.

Ai nënvizoi se forcat jemenase të sigurisë do të mbesin nën komandën e Jemenit, pa ndonjë autoritet të përbashkët me amerikanët.

Këto komente ai i bëri në momentin kur forcat jemenase të sigurisë vazhduan gjuetinë kundër Mohammed Al Hanaqut, udhëheqësit të dyshuar të një qelize të Al Qaidës, për të cilën besohet se kishte përgatitur sulme kundër ambasadës amerikane dhe misioneve të tjera të huaja në Jemen. Përderisa forcat vazhduan kërkimin në rajonin malor të Arhabit, në verilindje të Sanaas, ku ai është strehuar, zyrtarët vazhduan negociatat me udhëheqësit e fiseve lokale, duke e kërkuar dorëzimin e Al Hanaqut.

Washingtoni dhe Sanaa ende janë duke bërë vlerësime se sa larg mund të shkojë partneriteti i tyre i ri i intensifikuar në luftën kundër Al Qaidës, pjesëtarët e së cilës organizatë kanë lëshuar rrënjë në rajonet malore të këtij shteti të varfër arab.
Personeli ushtarak nga SHBA-ja dhe nga shtetet e tjera perëndimore tani gjendet në Jemen, ku po ndihmon në trajnimin e njësive antiterroriste të Jemenit, e në anën tjetër SHBA-ja dhe Britania kanë shtuar ndihmat për këtë vend, duke derdhur me miliona dollarë për të ndihmuar në ndërtimin e forcave të sigurisë.

Qeveria e Jemenit është dobësuar nga luftërat, varfëria dhe nga keqqeverisja dhe korrupsioni në radhët e veta. Autoriteti qendror pothuajse nuk ekziston jashtë kryeqytetit, me fiset e armatosura të cilat kontrollojnë një pjesë të madhe të territorit. Pjesa më e madhe e fiseve kanë qëndrim armiqësor ndaj qeverisë dhe shumë prej tyre strehojnë luftëtarët e Al Qaidës.

SHBA-ja thekson se grupi që vepron në Jemen, i njohur me emrin Al Qaida në Gadishullin e Arabisë, ka trajnuar dhe ka armatosur nigerianin 23-vjeçar, të akuzuar se ka tentuar të hedhë në ajër aeroplanin amerikan, i cili ditën e Kërshëndellave aterroi në Detroit. Këtë javë, SHBA-ja dhe shtetet tjera perëndimore mbyllën përkohësisht ambasadat e tyre në Saana, për shkak të frikës nga sulmet e mundshme terroriste. Ky hap u kritikua nga Al Qirbi.

“Ishte ky vendim i gabuar. Mbyllja e ambasadave, për të reaguar ndaj kërcënimeve, shkon në favor të terroristëve”, tha Qirbi.

Ai gjithashtu kritikoi edhe vendimin e Barack Obamës për të ndalur lirimin e shtetasve të Jemenit, të cilët po mbahen në burgun Guantanamo, për shkak të frikës se ata mund të përfshihen sërish në aktivitete terroriste. “Qeveria dëshiron që shtetasit jemenas t’i dorëzohen asaj dhe ne do të përndjekim të gjithë ata, të cilët kryejnë krime”, theksoi Qirbi.

Ai më tutje shtoi se SHBA-ja duhet të përqendrohet në forcimin e forcave të sigurisë së Jemenit.

Mosbesimi ndaj SHBA-së është mjaft i madh në mesin e 22 milionë banorëve të Jemenit, ndërsa presidenti i vendit, Ali Abdullah Saleh, varet edhe nga ndihma e konservatorëve islamikë, përfshirë këtu edhe disa prej tyre në radhët e ushtrisë, të cilët e kundërshtojnë aleancën e ngushtë me amerikanët në luftën kundër Al Qaidës.

“Jam i sigurt se përvoja e Perëndimit në Irak, Afganistan dhe Pakistan, është një gjë e vlefshme, nga e cila mund të mësojmë se intervenimi i drejtpërdrejtë komplikon gjërat”, ka theksuar Saleh.

John Brennan, këshilltari kryesor i Obamës për antiterrorizëm, ka theksuar ketë javë se SHBA-ja nuk është duke folur për stacionimin e forcave luftarake në Jemen.

Në fillim të javës, forcat jemenase të sigurisë tentuan të kapin Al Hanaqin, pas sulmit të ndërmarrë kundër konvojit të tij. Al Hanaq u arratis, por gjatë përleshjes u vranë dy luftëtarë të tij.

Besohet se në Jemen janë duke operuar disa qindra luftëtarë të Al Qaidës, përfshirë këtu veteranë të huaj nga luftërat në Irak dhe Afganistan. Në mesin e kryesuesve janë edhe dy militantë saudit, të liruar para disa viteve nga burgu Guantanamo.

Aksionet e fundit të qeverisë kundër militantëve kanë pasqyruar edhe natyrën e ndjeshme të bashkëpunimit me SHBA-në, pas raportimit nga ana e medieve se gjatë sulmeve kundër Al Qaidës janë shfrytëzuar edhe aeroplanët dhe raketat amerikane. Zyrtarët amerikanë nuk i kanë konfirmuar këto raporte, ndërsa Jemeni ka theksuar se këto sulme janë ndërmarrë nga forcat e veta ajrore, me ndihmën e inteligjencës të ofruar nga amerikanët.

Al Qirbi insistoi se nuk ekziston ndonjë marrëveshje, e cila amerikanëve do t’iu lejonte që të shfrytëzojnë forcat e veta ajrore në territorin e Jemenit.

Në Konferencën ndërkombëtare, e cila më 27 janar është ftuar nga Britania, do të diskutohet për rrugët për të luftuar Al Qaidën në Jemen. Al Qirbi theksoi se shpreson se në Konferencën në Londër vendit të tij do t’i ofrohen ndihma.

(AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›