E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bërnlei dorëzohet, Berisha mbetet jashtë

• Sulmuesi kosovar, Besart Berisha, nuk do të ketë mundësi që këtë sezon të luajë qoftë edhe një ndeshje për skuadrën e Bërnleit.Këtë e ka thënë vetë trajneri i skuadrës, Ouen Koile. Berisha është ende në fazën e kurimit pas këputjes së ligamenteve, dëmtim që e pësoi në verën e vitit të shkuar. Ai pritet të rikthehet në fushë gjatë muajit prill, por deri në fund të sezonit do të luajë për skuadrën e rezervave të Bërnleit. “Besarti është duke rikuperuar, por do të isha budalla po ta aktivizoja menjëherë me skuadrën e parë, pasi do të rrezikoja edhe shëndetin e tij”, ka deklaruar Koile. Berisha u dëmtua në fillim të sezonit, kur u detyrua të linte fushën e lojës gjatë ndeshjes miqësore Shqipëri-Maltë të luajtur në muajin gusht në Tiranë. Pas atij dëmtimi, që në fillim nuk u duk se ishte serioz, futbollisti ka kaluar një kalvar të vërtetë për fazën e rikuperimit, ndërkohë që i duhet të presë edhe disa kohë për t’u rikthyer si më parë në fushën e lojës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›