Dinamo fiton 3-1 & zmbraps Partizanin
• Dinamo rifitoi dje kreun e renditjes pas fitores 3-1 ndaj Skënderbeut të vendit të fundit, në ndeshjen që mbylli edhe javën e parë të fazës së tretë.Takimi në “Selman Stërmasi” u zhvillua në një terren të rrëshqitshëm, kjo dhe për shkak të shirave të sotëm në kryeqytetin shqiptar. Goli i parë i takimit mban firmën e Eleandro Pemës në minutën e 11-të, çka solli edhe qetësinë e kampit blu shumë pak të impenjuar në këtë ndeshje. Minuta e 26-të prodhoi edhe penalltinë për Dinamon, kur topi i goditur nga ish-mesfushori i Partizanit, Allmuça, u ndal nga dora e një mbrojtësi korçar. Edhe pse Bekim Kuli u përgatit ta gjuante penalltinë, tekniku Daja vendosi për Pejiç, duke i dhënë mundësinë kroatit jo vetëm të shënonte golin e dytë, por dhe të 14-in personal e për t’u barazuar përkohësisht me Sinanin e Vllaznisë. Fraksioni i dytë dhuroi edhe golin e vetëm për skuadrën e Renato Rapos. Portieri i Dinamos u tregua i pakujdesshëm dhe Çajku shkurtoi në minutën e 53-të diferencën në 2-1. Skënderbeu kalon disa momente të mira në lojë, por Dinamo gjeti kohën të shënonte golin e tretë me anë të Pero Pejiçit (gol u kontestua nga korçarët për prekje të topit me dorë). Goli i 15-të i Pejiç, një më shumë se Sinani.