E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi i Kombëtares është në krizë golash

• Një gol në gjashtë muaj. Ky është rendimenti i dyshes titullare të sulmit të Kombëtares shqiptare, Bogdani-Kapllani, gjatë këtij sezoni.Jetmir HalilajE vështirë për t’u pranuar, por e vërtetë dhe shumë shqetësuese njëkohësisht. Bogdani i shënoi pak javë më parë Juventusit, ndërsa Kapllani ende nuk ka mundur të zhbllokohet. Lojtarët që cilësohen si shtyllat e sulmit kuqezi për edicionin e ardhshëm kanë një ecuri të tmerrshme në kampionatet ku luajnë dhe padyshim që ky është një minus i madh jo vetëm për ta, por për të gjithë skuadrën. Një problem i vështirë për t’u zgjidhur edhe nga trajneri holandez i kuqezinjve, Ari Han, i cili nuk është se ka shumë alternativa në dispozicion. I vetmi nga lojtarët e repartit të avancuar që ka qenë konstant është Hamdi Salihi, i cili luan me austriakët e SV Riedit, por që deri në ndeshjen e fundit të edicionit të kaluar të Kombëtares u cilësua si një rezervë. Çuditërisht ky i fundit nuk do të jetë i grumbulluar për ndeshjen miqësore në transfertë kundër Moldavisë më 26 mars. FormaI vetmi ngushëllim për trajnerin Ari Han, nëse ia vlen të quhet i tillë, është fakti që dy lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike dhe shterpësia e tyre nuk është rrjedhojë e ndonjë dëmtimi të rëndë. Megjithatë është shqetësues fakti që asnjëri prej të dyve nuk luan si titullar në skuadrën e tij. Pozicioni i Bogdanit te Livorno ka qenë plot dritëhije, ku një pjesë të madhe të ndeshjeve i ka nisur nga stoli. Akoma më keq paraqitet situata te Karlsruhe për Kapllanin, i cili megjithëse është shumë mirë fizikisht, duket se e ka humbur prej kohësh një vend në formacionin e parë. Goli për durrsakun është shndërruar në një makth, nga i cili nuk po mundet që të çlirohet. Nëse vitin e kaluar, kur realizoi 17 gola në Bundesligën 2, goli dukej se ishte gjëja më e lehtë që mund të bënte Kapllani, këtë sezon dërgimi i topit në rrjetë është shndërruar në një mision të pamundur për 25-vjeçarin. RezervatHamdi Salihi mund të cilësohet padyshim alternativa më e mirë për sulmin e përfaqësueses shqiptare, pasi është i vetmi që ka shënuar sistematikisht (13) këtë sezon. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Alban Bushin, i cili te Apollon Kallamaria ka realizuar vetëm një gol. Loku është aktivizuar pak deri në këtë fazë të sezonit për shkak të problemeve që ka pasur me fizikun. Besart Berisha, i aktivizuar nga Bariç si mesfushor i djathtë edicionin e kaluar, por që në të vërtetë është një sulmues i tërhequr, nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë sezon me Bërnlein, pasi këputi ligamentet në miqësoren kundër Maltës në gusht të vitit të kaluar. Migen Memelli, 27-vjeçari që luan me suedezët e GAIS, cilësohet si një kandidat potencial për sulmin kuqezi dhe nuk ka shënuar asnjë gol këtë sezon, megjithëse është aktivizuar shpesh dhe gëzon një formë të mirë fizike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›