E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bërzhita, risia e turizmit në periferi të kryeqytetit

Një zbulim i mijëra qytetarëve të Tiranës. Mbi 100 lokale luksoze të shtirë në 10 kilometra gjatësi të rrjedhës së sipërme të lumit Erzen mirëpresin në fundjavë "turistët" nga kryeqyteti. 

Fatos Mahmutaj

Kryetari i komunës, Genci Drita, zbulon sekretet dhe misteret se si kjo zonë u shndërrua në një perlë turistike. Shpella e Pëllumbasit, një prej 6 perlave të Evropës, vendi më i vizituar i Tiranës. 
Bërzhita ka ndërruar fytyrë. Vera e vitit 2008 i gjen 13 fshatrat e kësaj komune në gjallëri dhe aktivitet të plotë. Kudo që të shkosh dhe këdo që të takosh e shpreh menjëherë realitetin e ri. Komuna ndodhet në një nga zonat më të bukura të kurorës së Tiranës. Duke filluar nga Mulleti e duke përfunduar tek "Kilometri 29" shikon një luginë që ndryshon çdo ditë. Zoti ja ka falur të gjitha. Por që të zbuloheshin sekretet e këtij vendi të begatë duhej që të ndryshohej drejtimi i saj. Banorët në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2007 e bënë vetë ndryshimin. Në krye të komunës erdhi një 33-vjeçar me pasion dhe frymë të re drejtimi. Njeriu i ndryshimit kishte shumë plane në kokën e tij, të cilat i dhanë një frymëmarrje të re jetës së këtyre banorëve që ndodheshin në mes të parajsës. Genc Drita i shpalosi ambiciet e tij që në ditën e parë të fushatës së tij. Ai u foli hapur njerëzve, bashkëbisedoi me ta për hallet dhe problemet e tyre. U preku problemet sociale dhe u premtoi se do të shkonte atje ku ziente me të vërtetë problemi. Fjalën e dhënë e mbajti që ditën e parë që u ul në karrigen e kryetarit të komunës.
Ndryshimi
Së pari, e kërkoi ndryshimin tek godina ku do të punonte stafi i tij. I dha asaj tjetër fytyrë. Nga një terren ku nuk mbinte as bari e kthehu në një godinë bashkëkohore dhe e informatizoi gjithë zyrat. Kjo mjaftoi që banorëve dhe stafit të tij t'i zgjojë besimin. Të gjithë e dëgjonin por dhe ai i dëgjonte me shumë kujdes. Mali i halleve të këtyre banorëve e vuri para shumë përgjegjësive dhe para shumë zgjidhjeve të vështira. Ai arriti që t'ia dilte mbanë. Shkeli në çdo cep të 13 fshatrave dhe i takoi të gjithë. Të gjithë kishin besim tek energjitë e tij. Të gjitha fshatrat kërkonin investime, donin ndryshime. Duhet që të bëheshin investimet publike që të pasoheshin nga bumi i investitorëve privatë. Agro-bujqësia e kësaj zone është për të pasur zili. Banorët janë kopshtarë dhe bahçevanë të zotë. Ata dinë të prodhojnë të gjithë ushqimet dhe perimet "bio". Ata e duan tokën, e trajtojnë atë si një fëmijë të brishtë. Genci i zbuloi të gjitha sekretet që këta njerëz të vihen në punë. Studioi të gjitha resurset ekonomike të kësaj zone.
Sekretet e turizmit
Në Bërzhitë dhe zonën rreth saj sot kanë mbërritur investitorët me të suksesshëm të Tiranës. Klima që krijoi Genci bëri që të hedhin miliona shumë investitorë nga Tirana. Genci u krijoi atë që ata e kishin vështirë ta besonin. Ai krijoi infrastrukturën që mungonte tërësisht. Komuna ndërtoi rrugë, kanalizime, vuri në eficencë shërbimet sociale. Bilanci i kryetarit që bëri ndryshime të mëdha është shumë mbresëlënës. Brenda një kohe rekord u investuan 55 milionë lekë në infrastrukturën e ujërave të bardha dhe të zeza të Bërzhitës. Kjo bëri që një investitor të hedhë mbi 4 milionë euro investim në këtë fshat në një kompleks turistik bashkëkohor. Ndryshimi i dytë u bë në rrugët e brendshme të fshatit Bërzhitë. Ai i ndryshoi ato totalisht. Rrugët kishin mbi 50 vjet që nuk kishin asnjë investim. U asfaltuan dhe u ndryshuan gjithë sistemi rrugor midis fshatrave. Investimi ishte rreth 37 milionë lekë, një investim që do të kishin zili shumë bashki të vendit. Fshatrave si: Kllojkë, Fravesh dhe Pashkashesh u ishte tharë buza për ujë që prej shumë e shumë vitesh. Eshtë marrë fondi prej 60 milionë lekë dhe është gati për tenderim për ujin e pijshëm të këtyre tre fshatrave. Po ashtu është marrë fondi dhe është gati për tenderim për 50 milionë lekë për ujin e pijshëm të Ibës. Banorët e Pashkasheshit udhëtonin kilometra të tëra për t'u vizituar. Kryetari i komunës gjeti fondin dhe ndërtoi ambulancën në këtë fshat. U investuan një milion lekë. Por ky është vetëm fillimi, planet e 33-vjeçarit shkojnë shumë larg. Ai kërkon që të ndryshojnë katërcipërisht gjërat. Janë gati shumë projekte që presin të zbatohen dhe të vihen në jetë. Për ujësjellësin e Ibës janë planifikuar 60 milionë lekë. Mbi 70 milionë lekë të tjera për lagjet periferikë të këtij fshtati. Për ujësjellësin e Bërzhitës do të shtohen dhe 65 milionë lekë që investitorët të kenë më shumë besim. Dobreshi do të jetë fshati që do të prekë ndryshimin. Për rrugët e tij të brendshme ka filluar projekti për 25 milionë lekë. Puna do të fillojë së shpejti. Por për herë të parë do të investohen dhe në kanalet vaditëse. Janë gati projektet me 55 milionë lekë, që do të investohen në kanalet vaditëse.

"Ju rrëfej mrekullitë e Bërzhitës turistike"

TIRANE - Një ditë me kryetar Gencin është e vështirë. Atë duhet ta ndjekësh në dhjetëra punë që të mësosh sekretin e suksesit të tij. Ai flet ndërsa inspekton punime, kontrollon dhe përpilon dokumente në zyrë. Genci Dritës, kryetarit energjik të komunës, i duhet të jetë vetë në krye të çdo pune. Gjatë ditës së ngarkuar të tij, u desh që ta ndërpritnim për disa minuta për një intervistë të shkurtër.
Bërzhita tani është një prej zonave turistike që frekuentohet nga mijëra qytetarë të Tiranës. Si është arritur kjo?
Një vendim i këshillit të komunës ndryshoi rrënjësisht statusin e Bërzhitës. Mbi 10 kilometra gjatësi të lumit Erzen u shpallën zonë turistike, duke u pastruar nga impiantet e prodhimit të inerteve. Këto 10 kilometra u bënë një parajsë pushimi për qytetarët e Tiranës. Në fundjavë me qindra familje u zhvendosën në këtë zonë. Por projektet për këtë komunë nuk përfundojnë këtu. Zyra e urbanistikës së komunës ka gati projektin për ujin e pijshëm të fshatit Ibë e sipërme. Me mjetet e komunës është hapur transheja e rrugës në një gjatësi prej 5 kilometrash për katër fshatrat e thellë të komunës, të cilat nuk kanë pasur fare rrugë automobilistike. Për të përfunduar kjo rrugë u investuan dy milionë lekë. Për t'u ardhur në ndihmë fëmijëve të Ibës janë dy milionë lekë për shtesën e shkollës së këtij fshati. Mendoj se sekreti i turizmit të kësaj zone janë resurset turistike. Në këtë zonë turistike me gjatësi 10 kilometra shtrihen me dhjetëra lokale shumë luksoze. Këto lokale janë mikpritësit e turistëve nga Tirana. Në këtë zonë ndodhet shpella e Pëllumbasit, e cila është një prej gjashtë perlave të Evropës. Shpella është një vend shumë interesant turistik. Gryka e bukur e Skuranës e cilësuar si Syri i Kaltër i Tiranës është një nga vendet më piktoreske, ku banorët e Tiranës e frekuentojnë në çdo fundjavë si në dimër dhe në verë.
Po me studimin urbanistik të zonës çfarë është bërë?
Kjo është dhe e reja më e fundit. Jemi në përfundim të hartimit të planit të studimit dhe zhvillimit të kësaj zone, një projekt shumë ambicioz dhe bashkëkohor i financuar nga FZHSH dhe është bërë gati detyra e projekteve nga ana e zyrës urbanistike të Qarkut të Tiranës, i cili do t'i hapë rrugën studimit urbanistik dhe investimeve sipas planit rregullues.
Veç investimeve në infrastrukturë ka dhe mjaft investime në shërbim të komunitetit. Mund të na thoni disa prej tyre?
Për t'u ardhur në ndihmë mbi 100 bizneseve të vendosur në zonën turistike të komunës së Bërzhitës është në përfundim një linjë e veçantë e furnizimit, me energji me fuqi 10 kilovolt. Kjo është arritur me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të KESH. Po ashtu për t'u ardhur në ndihmë banorëve dhe qytetarëve të Tiranës, u dha licenca e shërbimit urban. Ky shërbim urban me autobusë fillon që në orën 05:00 dhe përfundon në orën 22:30. Kjo ka lehtësuar dhe zgjidhur shumë probleme ekonomike të kësaj zone. E reja më e fundit është hapja e qendrës së internetit, e cila përbën realizmin e një prej premtimeve më të rëndësishme të qeverisë. Komuna ka një komunikim shumë të hapur me mediat dhe prej disa muajsh ka dhe një gazetë periodike, në të cilën pasqyrohen hallet dhe problemet e banorëve të kësaj zone.   f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›