E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Vetëm takim kokë më kokë me Waxman

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers ka kërkuar një takim kokë më kokë me kongresmenin demokrat Henry Waxman. 

"Ne jemi në pritje të organizimit të këtij takimi", tha dje në një prononcim për gazetën "Panorama", zëdhënësi i ambasadës amerikane në Tiranë. Ndërkohë, nuk bëhet e ditur nëse kreu i diplomacisë amerikane i ka kthyer përgjigje kryetarit të komitetit për mbikëqyrjen dhe reformat. Në letrën e fundit Waxman i kërkonte ambasadorit amerikan, që të konfirmonte deri pasditen e të mërkurës për paraqitjen e tij pranë komitetit për t'u intervistuar në lidhje me hetimin për trafikun e armëve. Por ambasadori amerikan nuk është tërhequr nga qëndrimi i tij për të zhvilluar një takim kokë më kokë me kongresmenin amerikan. Në letrën e tij Waxman shkruante se mungesa e bashkëpunimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe zyrtarët e ambasadës janë bërë pengesë për punën hetimore të komitetit. "Hetimi i këtij komiteti për atë që ndodhi realisht në Shqipëri, në nëntor 2007 po pengohet nga mungesa e bashkëpunimit e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës. Për t'u veçuar është fakti se, komiteti nuk ka marrë ende dokumentet e kërkuara dhe as ka mundur të marrë në pyetje zyrtarë të ambasadës. Për këtë arsye, unë e vlerësoj ofertën tuaj për t'u takuar dhe uroj që tani ju do të bashkëpunoni plotësisht me komitetin", thuhet në letrën e Waxman për ambasadorin amerikan në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›