E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa-Partizani, sfida e nxehtë e kreut

Dash Frashëri
Kur nisi Kampionati i 68-të Kombëtar i Futbollit, askush nuk e kishte menduar se përballja e Besës (17 pikë) me Partizanin (19) do të shndërrohej në një nga sfidat më të nxehta, dhe për më tepër midis dy ekipeve që kryesojnë bindshëm kampionatin, duke lënë pas me 12 pikë(Besa) dhe 14 pikë(Partizani) kampionen dhe nënkampionen e sezonit të kaluar, Tiranën dhe Teutën, të cilat në shtatë javë kanë grumbulluar vetëm nga 5 pikë. BESA – Fituesja e Kupës së Shqipërisë është duke përjetuar një moment të mirë në kampionat, sidomos në ndeshjet e shtëpisë ku ka arritur t'i fitojë të katër takimet, dy prej tyre ndaj Tiranës dhe Elbasanit. Me një trajner rumun (Dumitresku) në bankinë dhe një president në krye (Bizhdili), që ka vendosur 15 mijë dollarë premio për fitoren ndaj të kuqve, që do të sillte automatikisht edhe vendin e parë, me një pikë më shumë se Partizani më përfundim të javës së tetë. Të gjithë te Besa, nga portieri maqedonas Zendeli e deri të sulmuesi durrsak i kavajasve, Bledar Mancaku, janë të bindur se do të fitojnë. Besa do të luajë me tre sulmues (Mancaku-Xhihani-Elokan), por përballë tyre do të jetë Orges Shehi, portieri që nuk pëson gol prej 517 minutash, nga java e dytë e kampionatit. PARTIZANI - "Ultrasit Partizani" do të jenë të shumtë në Kavajë, për të plotësuar dekorin me të kuqe, midis të paktën 9 mijë tifozëve verdhezinj që priten të jenë në stadiumin "Besa". Presidenti Xhani, i cili pasi dështoi në tentativën për të pasur një gjyqtar të huaj në supersfidë, është treguar fjalë pak përpara takimit duke hequr dorë nga fushata propagandistike që e ka shoqëruar gjithmonë atë. "Qetësia më pëlqen më shumë, kemi një grup shumë të mirë, por dhe po humbëm nuk është fundi i botës, por vetëm fundi i javës së tetë, kur ka dhe 25 të tjera për t'u luajtur". STATISTIKAT- "Demat" kanë fituar ndeshjen e fundit në transfertë me Besën (0-2), takim i luajtur në Durrës (sezoni 2006-2007), por në atë të fundit të zhvilluar në Kavajë, në sezonin 2005-2006, Partizani humbi thellësisht 4-1, ndërkohë që presidenti i kuq, Xhani, e cilësoi si një nga humbjet që i kishte shkaktuar më shumë dhimbje. Edhe takimin tjetër të këtij sezoni, Partizani e humbi 2-1. Besa, ende pa një trofe në kampionat, është shumë inferiore përballë 15-herë kampionevë të Shqipërisë. Në 103 ndeshjet historike Partizani ka arkivuar 51 fitore, kundrejt 17 të Besës (35 takime janë mbyllur në barazim). Takimi i sotëm do të drejtohet nga ndërkombëtari Albano Janku, i cili u përzgjodh nga shorti me Sokol Jarecin, edhe ky me stemën e FIFA-s. Ndeshjet Sezoni 2006-2007 Besa-Partizani 0-2 Partizani-Besa 0-0 Partizani-Besa 2-1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›