Elbasani-Dinamo, sherret pa nisur ndeshja

Elbasani-Dinamo. Një sfidë midis dy ekipeve që ndajnë vendet 3-4, por që ka nisur me sherre të mëdha. Deklaratave fyese të ish-portierit dinamovit, tashmë te Elbasani, Ilion Likës, i është përgjigjur me të njëjtën monedhë, klubi i Dinamos, përmes një deklaratë për shtyp.
PRECEDENTËT - Në fakt, asnjëherë takimet midis Elbasanit dhe Dinamos nuk kanë pasur pragndeshje të qeta, mjafton të kujtojmë acarimin e marrëdhënieve në sezonin 2004-2005, kur presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj, akuzoi futbollistët e drejtuar asokohe nga Artan Bushati, se merrnin substanca të ndaluara, pasi nuk ishte i bindur se lojtarët e Elbasanit(nënkampion atë sezon) mund të gëzonin atë formë të shkëlqyer fizike. Presidenti i Elbasanit, Arben Laze e kërcënoi me hedhjen në gjyq, ndërsa pas ndeshja midis tyre degjeneroi në protesta të shoqëruar me trazira.
ISH-ËT- Takimi përball dy ekipe që kanë në gjirin e tyre shtatë lojtarë që kanë veshur fanellat e dy skuadrave, por intriga më e madhe ka të bëjë me portën. Elvis Kotori, sezonin e kaluar luajti me Elbasanin, por kampioni i sezonit 2005-2006, tashmë mbron portën e Dinamos. Portieri i Kombëtares, Ilion Lika, deri në mesin e sezonit të vitit të kaluar ishte "blu", por gjatë këtij kampionati është shndërruar në "verdheblu" . Kështu mund të flasim për Arjan Pishën (sot Dinamo), Abraham (Dinamo), apo Ahmatajn (sot Elbasani) dhe Fjodor Xhafën (Elbasani). Kapiteni i Elbasanit, Julian Ahmataj do ritkthehet në fushë pas një mungesë disa javore.
SHIFRAT- Dinamo i ka fituar të gjitha ndeshjet jashtë dhe takimi kundër Elbasanit, që nuk ka humbur asnjë ndeshje është një provë e fortë për teknikun Agim Canaj. Dy ekipet i ndajnë 5 pikë, dhe trajneri i Elbasanit, Krenar Alimehmeti, kurrsesi nuk do të lejojë që diferenca të shkojë 8 pikë. Në 108 ndeshje të zhvilluar midis tyre vetëm 19 fitore u përkasin 2-herë kampioneve (Elbasanit) dhe 48 fitore u përkasin 16-herë kampioneve (Dinamos). 41 takime midis tyre janë mbyll në barazim.