Fitojnë të moshuarat ëndërrimtare
Duket sikur ato nuk kanë më lidhje me ëndërrat, por ja që ato ëndërrojnë me sy hapur. Është kjo videoja pa titull e Taulant Kapidanit, 22 vjeçarit, që u shpall dje në mbrëmje fitues i çmimit “Idromeno 2008”. Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Galerisë së Arteve në Shkodër, Kapidani u shpall fitues mes 13 artistëve pjesëmarrës nga rrethe të ndryshme të vendit, që konkurronin për herë të parë për këtë çmim. Në videon e tij artisti prezantonte jetën e disa të moshuarave, duke medituar në dritaret e banesave të tyre. Puna e tij u përzgjodh nga një juri me artistë dhe specialistë të kësaj fushe. “Idromeno 2008”, e nisi rrugëtimin e tij me temën “Kujtoj”. Sipas kuratorit të ekspozitës, piktorit shkodran Zef Paci, Shkodra, si një qytet me lidhje të forta me historinë, tenton të rindërtojë marrëdhëniet me traditën e të kaluarën e saj, në përpjekje të kalimit të krizës së identitetit, shkaktuar për shkak të ndryshimeve të ndodhura në dy dekadat e funidt. Ishte kjo arsyeja që tema e “Idromeno 2008” u zgjodh Kujtesa, si një moment qëndror në raportin mes njeriut dhe origjinës. Artistët pjesëmarrës tentuan të fokusonin vëmendjen mbi ndikimin e kujtesës në rivlerësimin e hapësirës, ku jetojmë e veprojmë, në krijimin e vetëdijes së të jetuarit në një vend nëpërmjet videove, fotove, pikturave apo vizatimeve, pa pretenduar të jenë shterrues në temën që trajtojnë. Ndër pjesëmarrësit në këtë konkurs mund të përmendim Albert Brahajn, të titulluar “Një udhëtim në pafundësi”, Enkelejd Zonjën me “Pa titull’, Henri Shkurtin me punën “Idea”, Klevi Povën me “Ankth-fotografi”, Ledia Kostandinin me “Pa titull”, Suela Qoshen me “Makina e kohës-instalacion”, etj. Ekspozita kombëtare e arteve pamore për artistët e rinj do të vijojë të qëndrojë e hapur për katër ditë me radhë në ambientet e Galerisë së Arteve të Shkodrës.