Në rrugët e Mios
Janë vendosur në Korçë, për të fiksuar më të veçantat. Janë gati 30. Jo vetëm nga Shqipëria, por edhe vende të tjera të Evropës. Po zhvillohet këto ditë në qytetin e Korçës, aktiviteti “Ditët e Mios”. Homazhi për piktorin e madh korçar ka mbledhur në këtë qytet piktorë nga Shqipëria, Zvicra, Austria, Greqia, Rumania, Kosova dhe Maqedonia. Prej ditësh ata janë vendosur në Korçë, në pikat turistike të qytetit, në Vithkuq, Drenovë, Liqenas, apo Voskopojë dhe po përkthejnë perceptimin e tyre në bojëra. Po ndjekin rrugën e Mios, i cili ka realizuar një galeri të pasur me peizazhe nga qyteti i tij i lindjes. Këto punime do të paraqiten në ekspozitën që hapet nesër. Do të prezantohen me nga dy punime dhe një syresh do t’ia dhurojnë galerisë së artit “Guri Madhi”. Koo është hera e parë që Qendra Kulturore e qytetit organizon një ngjarje të tillë dhe organizatorët shpresojnë ta kthejnë në një traditë, duke e kthyer Korçën në një faktor të kulturës, edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. “Ditët e Mios” do të pasohet në muajin dhjetor me një tjetër ngjarje që mban emrin e piktorit të madh. Bëhet fjalë për konkursin kombëtar të pikturës “Vangjush Mio”.