E Shtunë, 31 Tetor 2026

E meritojmë sërish një spektakël të shëmtuar?

Shqipëria ka momentalisht probleme serioze. Ajo nuk ka më kohë për të humbur në impulset dhe shpërthimet e energjisë negative që buron nga politika. Reformat strukturore, afrimi me Evropën, punësimi, infrastruktura, energjia dhe lufta kundër varfërisë, krimi dhe korrupsioni, pa lënë mënjanë krizën financiare, që në një mënyrë a një tjetër do të ketë efektet e saj edhe në ekonominë tonë, të gjitha këto mund të përbënin platformën bazë të një fushate elektorale normale për secilën parti politike që synon votat e zgjedhësve.

Me të drejtë, z.Minxhozi, thotë se, nëse i hedhim një vështrim fushatës në SHBA-së, do të vërejmë se këto tema, në një kontekst tjetër, siç është ai amerikan, janë qendrore dhe të palëvizshme. Është e natyrshme që, një pjesë e fushatës, t’i kushtohet edhe garderobës së kushtueshme të Sara Pejlin, apo origjinës myslimane të Barak Obamës, porse ky arsenal goditjesh “poshtë barkut”, siç shprehen boksierët, përbën pjesën folklorike të një fushate, jo thelbin e saj. Ndryshimi fillon tek sjellja dhe, fatkeqësisht, sjellja politike e krerëve të partive apo zyrtarëve të tjerë në Shqipëri, lë shumë për të dëshiruar.

Në Shqipëri i shohim, i lexojmë dhe, disa herë mundohemi edhe t’i kopjojmë heronjtë kryesorë politikë të fushatës amerikane, por e bëjmë këtë në një mënyrë thellësisht “shqiptare”. Sepse mjafton të shohësh përmbajtjen e debatit dhe të akuzave të ndërsjella politike mes palëve kryesore, në harkun e një jave, për të kuptuar se tehu i goditjeve dhe i oponencës, është mbi individin dhe jo mbi idetë që ai bart. Kësisoj, fushata elektorale ku po hyjmë, është thellësisht denigruese dhe pak, ose aspak, ndërtuese.

Të shkatërrosh kundërshtarin është pjesë e lojës, e pranuar gjerësisht edhe në demokracitë e zhvilluara. Por, të mos kesh minimumin e respektit njerëzor ndaj asaj që ai përfaqëson, të mos kesh pikën e vetëpërmbajtjes dhe ekuilibrit në grushtet që lëshon, apo në fjalët që nxjerr nga goja, kjo është e papranueshme. Akuzat pa autor dhe emra konkretë, që Berisha i bëri para ca ditësh opozitës në Parlament, për “njerëz të vrarë me jastëk në kokë në hotelet e Spanjës”, apo të tjera skena të ngjashme me zhanrin e horrorit hollivudian, janë vërtet dëshpëruese për atë çka na pret në muajt që vijnë.

Premtimi që Rama ka bërë, për një kod të ndryshëm politik komunikimi nga ai i deritanishmi, është parë, jo rrallë, si një shenjë dobësie, si një kapje e tij nga Berisha dhe mazhoranca.

Nëse vetë Rama nuk do të tundohet ta ndryshojë gjuhën dhe sjelljen e tij ndaj kundërshtarëve, pikërisht për shkak të këtij presioni negativ, ne do të kemi në fushatën e ardhshme një premisë jo të vogël normaliteti, do të kemi një palë që flet, ose të paktën mundohet të flasë për problemin dhe jo për njeriun, për fenomenin dhe jo për bartësin e tij.

Është ende herët për të kuptuar diçka nga gjuha konkrete e fushatës, nga taktika dhe lëvizjet e kalkuluara të saj. Por, që tani mund të kuptohet se, kaubojsat tanë politikë, po i mprehin shpatat dhe po i pastrojnë pisqollat për të na bërë edhe një herë që të asistojmë pa dëshirën tonë, në një dyluftim vetëm në dukje epik dhe heroik, por në thelb shumë personal dhe meskin. A e meritojmë sërish një spektakël të tillë të shëmtuar?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›