Maqedoni, emri pas zgjedhjeve të 15 marsit
Zgjidhja e kontestit të emrit të Maqedonisë mund të shtyhet deri në muajin prill të vitit të ardhshëm, për shkak të zgjedhjeve presidenciale dhe lokale që zhvillohen më 15 mars në Maqedoni.
Kjo bëhet e ditur për agjencinë e lajmeve INA nga një diplomat perëndimor në Maqedoni.
“Zgjedhjet janë ato që do të ndikojnë tejmase që liderët t`i ikin përgjegjësisë për zgjidhjen e kontestit të emrit. Nuk priten rezultate konkrete. Por edhe zgjedhjet presidenciale në SHBA janë një faktor që mund të çojnë në prolongimin e zgjidhjes”, deklaroi diplomati perëndimor.
Autoritetet e larta shtetërore nuk kanë paralajmëruar ndonjë takim konsultativ të radhës për të diskutuar për çështjen e emrit.
Kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se nuk di se a do të zhvillohet ndonjë takim i ri i kreut shtetëror për shqyrtimin e pakos së fundit të ideve për emrin të ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic. Gruevski tha se presin që sot të njihen nga zëvendës-ndihmës sekretari amerikan Stjuart E.Xhons për qëndrimet zyrtare amerikane për çështjen e emrit.
Propozimi i fundit i ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara Metju Nimic është që emri kushtetues të ketë përdorim brenda vendit dhe në komunikimin dypalësh me shtetet tjera, ndërsa propozimi “Republika Veriore e Maqedonisë” të përdoret në komunikimin ndërkombëtarë.
Lidhur me çështjen e identitetit dhe gjuhës kombëtare maqedonase jozyrtarisht bëhet e ditur se është propozuar një zgjidhje që gjuha dhe identiteti kombëtarë maqedonas të njihet si të Republikës Veriore të Maqedonisë.
Parlamenti i Maqedonisë pritet të fillojë debatin për një rezulotë të propozuar nga opozita për unitet gjithëkombëtar dhe gjithëpartiak për çështjen e emrit. (INA)