E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Besa e vëllait të vdekur", drama ndërballkanike

 

Një truall tragjik, Ballkani. Një truall që nuk gjen paqe. Dhe vetëm një tokë e tillë mund të lindë një legjendë si "Besa e vëllait të vdekur", apo "Kostandini dhe Doruntina", siç njihet tek ne. I kalon të gjithë kufijtë, madje nuk është e sigurtë se ku ka lindur së pari. Në skenën e teatrit "Kappa" në Athinë, u shfaq vepra "Besa e vëllait të vdekur" nga regjisori grek Sotiris Haxaqis, ku interpreton edhe aktorja shqiptare, Margarita Xhepa. Ai tregon për "Dewtche Welle" se 15 vjet hulumtime të kryera mbi "elementin tragjik në kulturën popullore bashkëkohore", e çuan deri të balada e njohur e shek. VII-VIII. "Vaji i shkon shumë për shtat Ballkanit. "Veç kësaj përbën dhe një tribunë politike dhe shoqërore, që tregon se popujt në Ballkan mund të kapërcejnë divergjencat e tyre dhe të gjejnë elementë, pika dhe mite të përbashkëta, që të jetojnë në paqe dhe të zhvillohen në mënyrë krijuese",- thotë regjisori Haxaqis. Vlerat e kësaj shfaqjeje 5 gjuhëshe ia shton pjesëmarrja e aktorëve të njohur, mes të cilëve edhe të aktores shqiptare Margarita Xhepa, e cila ka tërhequr vëmendjen e spektatorit me interpretimin e saj të fuqishëm. Shpalosja e baladës së djalit të vdekur që ngrihet nga varri për t'i sjellë pas, sipas premtimit, nënës tragjike (së cilës murtaja i mori të tetë djemtë) vajzën e vetme të martuar larg, po kthehet vërtet në një udhëtim në koloritin e pasur të traditës popullore. Në të gërshetohen një numër variantesh të poemës, vaje, anatema, këngë erotike dhe pagane, këngë dasme dhe kurbeti si ajo "Përtej urës së Qabesë" apo "Moj e bukura More...".  Pas shfaqjes në Athinë, vepra do të vijë në Tiranë, Beograd, Sofje dhe Bukuresht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›