E Diel, 1 Nëntor 2026

Shirat trembin banorët, evakuohen dhe dy familje

 

GRAMSH – Rikthimi i reshjeve detyroi dy familje të tjera të zhvendosen nga frika e shembjes së kodrës në fshatin Kale të Gramshit. Fenomeni i rrëshqitjes së tokës në këtë zonë alarmoi banorët disa javë më parë, pasi dy shtëpi u dëmtuan nga masivi i dheut që u ra sipër. Pas largimit nga zona të 50 familjeve, dje u larguan dhe dy të tjera. Ndonëse nuk pati dëme materiale, te banorët është krijuar panik, për shkak të reshjeve të shiut dhe erës së fortë. Ata e kanë kaluar natën zgjuar, nga frika se ndonjë rrëshqitje mos t’i gjente të papërgatitur. Ditën e djeshme u lajmëruan specialistë të zyrës së emergjencave, të cilët mbërritën dhe njëherë në komunën Kukës për të parë nga afër situatën. Sipas tyre, ndonëse gjendja është e njëjtë me atë të disa javëve më parë, nuk ka rrezik për jetën e banorëve. Gjithsesi ata kanë këshilluar anëtarët e dy familjeve, që të transferohen nga buza e kodrës ku dhe banojnë për t’u zhvendosur pak metra larg nga zona që rrezikohet. Deri tani nga rrëshqitjet e dherave në këtë komunë rreth 150 hektarë tokë bujqësore është shkatërruar plotësisht si dhe është dëmtuar pjesërisht shkolla, qendra Shëndetësore dhe rruga e automjeteve. Ndonëse për to është thënë se do të riparohen deri tani nuk është bërë asgjë, me përjashtim të rrugës, e cila është pastruar nga sasi e madhe e dheut që rrëshqiti mbi të. Dëmet e shkaktuara nga rrëshqitja e dherave në këtë komunë arrijnë në afro 3 milionë lekë. Ky fond për të dëmshpërblyer këta banorë pritet t’i transferohet komunës Kukër nga ana e Ministrisë së Brendshme, e cila do të akordojë nga fondi i emergjencave cilivile këtë shumë për t’u ardhur në ndihmë banorëve.                    a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›