Qëlluan policinë gjatë arrestimit, burg tre kushërinjve nga Shkodra
TIRANE - Tre kushërinjtë nga Malësia e Madhe, që shkëmbyen zjarr dhe u përleshën me policinë gjatë arrestimit të tyre mbrëmjen e së enjtes do të qëndrojnë në burg deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje masën e sigurisë "arrest me burg" për Sabahet, Mondi dhe Besnik Vucajn. Në seancën masës së sigurisë avokatët mbrojtës të së pandehurve kërkuan për klientët e tyre masa më të lehta sigurie. Burime pranë gjykatës sqaruan se vetë të pandehurit nuk kanë shfaqur pretendime në sallën e gjyqit. Ndërsa përfaqësuesi i akuzës kërkoi lënien e tyre në burg deri në përfundim të hetimeve. Në përfundim gjykata caktoi masën e "arrestit me burg pa afat" për të tre të pandehurit. Sipas prokurorisë mbi Sabahet Vucajn rëndojnë akuzat e "tentativë vrasjeje të policit", "kundërshtim me dhunë dhe me armë i forcave të policisë", "mbajtje e lëndëve narkotike" dhe "armëmbajtje pa leje". Dy kushërinjtë e tij, Mondi dhe Besnik Vucaj akuzohen për kryerjen e veprave penale të "kundërshtimit me dhunë dhe me armë të forcave të policisë" dhe "armëmbajtje pa leje". Ngjarja për të cilën kushërinjtë Vucaj u arrestuan ndodhi mbrëmjen e së enjtes në fshatin Bratosh, të Malësisë së Madhe, në një rrugë që lidh këtë fshat me fshatin Vuçaj. Pasi kishte marrë informacione se kushërinjtë po transportonin një sasi lënde narkotike, Komisariati i policisë së Malësisë së Madhe ka ndërmarrë një operacion për kapjen e tyre. Nga ana e uniformave blu është menduar t'u bëhej një pritë në këtë segment rrugor. Por sapo kanë parë prezencën e policisë tre të rinjtë kanë hapur zjarr drejt tyre. Shkëmbimi i zjarrit mes policisë dhe Vucajve ka vazhduar përreth 3 orë, por nuk ka pasur të plagosur. Pasi janë siguruar që tre të rinjtë nuk kishin më municion policia ka përparuar drejt tyre. Shkëmbimi i zjarrit i ka lënë vendin konfrontimit fizik më pas mes policisë dhe të rinjve, të cilët janë përpjekur t'i shpëtonin prangave. Nga përleshjet trup me trup u plagosën jo rëndë dy oficerë policie. Ndërsa në tentativë e sipër për t'u larguar Sabahet Vucaj u përplas me një shkëmb, çka i shkaktoi një dëmtim të rëndë trupor. Pas ndalimit të tyre policia bllokoi 3 armë zjarri dhe 7.7 kg kanabis sativa. Dyshohet se të rinjtë trafikonin lëndë narkotike drejt Malit të Zi, duke shfrytëzuar rrugët malore. ar.ba