E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, zgjidhen 46 anëtarët e Asamblesë

 

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, dje u zhvillua asambleja e jashtëzakonshme e klubit të Tiranës, me kërkesën e një grupi nismëtar që mbante firmat e 42 anëtarëve e që përbënin më shumë së gjysmën e pjesëtarëve të anëtarëve të asamblesë. Në një nga ambientet e hotel "Tirana Internacional", pasi kishin përcaktuar më parë rendin e ditës, Nuri Bylyku hapi punimet e asamblesë, teksa ishte anëtari i kryesisë së klubit Riza Hicka, ai që realisht e drejtoi asamblenë e djeshme dhe bëri përmbledhjen e ecurisë së "KF Tirana" gjatë katër vjetëve, duke u fokusuar te puna e asamblesë së mëparshme. Por në asamblenë e djeshme mungonin pjesëtarët e bashkisë së Tiranës, drejtuesit e klubit, si dhe tre nga katër donatorët, çka edhe ishte paralajmëruar dhe që mund të sjellë për pasojë edhe mosnjohjen e asamblesë së djeshme. Në të vërtetë, 42 firmat e mbledhura mjaftuar që gjithçka dje të shkonte normalisht dhe sipas pikave të statutit të bëheshin të gjitha procedurat e nevojshme për zgjedhjet e reja. U ngrit një komision për verifikimin e mandateve si dhe një komision për votimin. Pikërisht votimi i anëtarëve të rinj të asamblesë, ishte dhe motivi i grupit nismëtar. Anëtari i kryesisë, Riza Hicka, pasi falënderoi punën e bërë nga donatorët, nuk anashkaloi dhe disa probleme serioze që mbërthyen klubin, duke bërë me faj përveç sekretarit Gjini edhe vetë donatorët. Mungesën e tyre ai e cilësoi të papranueshme, pasi tre donatorët: Nuri, Papuli e Ngjela kishin pasur një ftesë me postë të posaçme për këtë gjë. Ai shprehu dhe keqardhjen që bashkia nuk merrte pjesë në proces, por falënderoi drejtorin e sporteve në MTKRS, Vasil Bici për pjesëmarrjen. "Kjo asamble zhvillohet konform ligjeve të shtetit shqiptar dhe nuk mund të vihet në diskutim legjitimiteti i saj", tha ai. Refik Halili kërkoi nga asambleja ta besonin dhe në vazhdim, duke kërkuar gjithashtu bashkëpunimin e tre donatorëve të tjerë. Jo vetëm kaq, por për çdo rrethanë donatori karizmatik i Tiranës nënvizoi se nuk do të ndërpriste për asnjë çast mbështetjen e tij për skuadrën. Raporti financiar mungoi, pasi mungonte ai që duhet ta paraqiste, sekretari i klubit Eduard Gjini pas diskutimeve të rastit dhe ndonjë propozimi konkret, u kalua në votim, ku nga 75 të nominuar duhej të zgjidheshin 46 anëtarë të rinj. Përveç tyre, ishte vendosur që më parë që pesë anëtarë të kooptoheshin dhe ata ishin presidenti i Republikës Bamir Topi si dhe katër donatorët bardheblu, çka e çonte në 51 numrin e anëtarëve të rinj të asamblesë. Pas një votimi të gjatë, por të rregullt, u zgjodhën dhe anëtarët e rinj, ku binin në sy emra që më parë nuk kishin qenë më parë në asamble, por, njëkohësisht, dhe emra të njohur të klubit bardheblu ndër vite, kryesisht ish-futbollistë e drejtues të klubit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›