E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vrasja e 28-vjeçarit, kemi dëshmitarë"

 

Vrasja e Ardian Tahirit, emigrantit nga Fieri që u ekzekutua me armë zjarri të shtunën e javës që shkoi, dyshohet se ka ndodhur për shkaqe që lidhen me aktivitetin e viktimës. Prokuroria e Tiranës regjistroi dje procedimin penal në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rrugën "Irfan Tomini", pranë Urës Teknologjike duke marrë në dorëzim materialet e para hetimore në lidhje me atentatin. Në këto materiale përshkruhet se prova kryesore e ngjarjes, është dëshmia e një personi rreth 30 vjeç, të ndodhur fare pranë vendit të krimit. Ky person mësohet se ka pësuar disa dëmtime të vogla fizike si pasojë e të shtënave me armë, që janë derdhur në drejtim të Ardian Tahirit. Dëshmitari besohet se ka parë skenën e krimit, ndërsa burimet thonë se emigranti nga Fieri është qëlluar nga një distancë të paktën 10 metra çka e bën të vështirë identifikimin e vrasësve prej dëshmitarit, i cili ka qenë i pozicionuar pranë 28-vjeçarit që gjeti vdekjen pasi mori plumba në kokë. Shërbimet e policisë janë duke verifikuar me dëshmitarë dhe në rrugë operative për autorësinë e ngjarjes dhe shkaqet e saj ndërsa dyshohet se shkak për eliminimin e emigrantit, kanë qenë disa përplasje që ai ka pasur me persona të tjerë nga Tirana, kohë më parë. Grupi hetimor i ngjarjes ka nxjerrë nga arkivat e policisë disa materiale që flasin për një përplasje fizike mes të vrarit Ardian Tahiri dhe një personi me precedentë penalë nga periferia e Tiranës. Emigranti nga Fieri i vrarë tri net më parë ishte konfliktuar me personin në fjalë për shkaqe të paqarta, ndërsa informacioni policor në lidhje me këtë ngjarje ishte mësuar nga agjentët e rendit. Këto të dhëna janë duke u shqyrtuar nga grupi i hetimit që po mundohet të krijojë "rrethin e të dyshuarve" në lidhje me atentatin e ndodhur të shtunën ndaj Ardian Tahirit, 28 vjeç. Viktima dyshohet se ka pasur konflikte me të dyshuarin nga policia për shkak se të dy personat kishin bashkëpunuar mes tyre në disa aktivitete, ku nuk përjashtohen edhe trafiqet e paligjshme dhe prishja e pazareve. Duket se gjërat nuk kanë shkuar mirë në këtë aktivitet, ndërsa zënkat janë bërë shkak për një përplasje fizike deri në goditje me grushte mes viktimës së atentatit të së shtunës, Ardian Tahiri dhe palës tjetër në këtë mosmarrëveshje. Policia pohoi se është duke hetuar edhe në lidhje me mundësinë që atentati i të shtunës të ketë ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje të momentit, megjithëse ngjarja duket se ka qenë e paramenduar. Një fakt i provuar tashmë është se arma e përdorur në vrasje, ka qenë e pajisur me zhurmëshues, siç njihet ndryshe silenciator. Një tjetër informacion i dokumentuar nga policia është se viktima e vrasjes ka qenë në shoqërinë e personave të njohur të rrethit të ngushtë të tij, çka lë vend për dyshime se vrasësit mund të kenë zënë pritë diku pranë lokaleve, ku po qëndronte Ardian Tahiri pak orë para se të ekzekutohej me armë. Prokuroria e Tiranës tha se përmes Interpolit dhe Ministrisë së Drejtësisë, do të kërkohen informacione dhe prova nga policia greke, në lidhje me aktivitetin e Ardian Tahirit gjatë qëndrimit të tij në Greqi. Koha e të vrarit në emigracion duket se ka mbetur mister për policinë shqiptare, e cila ka vetëm dyshime për trafiqe të paligjshme porse provat mungojnë.                              tr.so

Ekzekutimi i emigrantit nga Fieri, shoqërohen në polici 20 persona

TIRANE - Policia e Tiranës ka shoqëruar 20 persona për të dhënë shpjegime në lidhje me vrasjen e emigrantit Ardian Tahiri, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e së shtunës, javën që shkoi. Të shoqëruarit mësohet se janë banorë të lagjes, ku ndodhi ekzekutimi i fierakut të sapokthyer nga Greqia. Ai është qëlluar me armë në zonën mes "Pallatit me shigjeta" dhe Urës Teknologjike. Bashkë me banorë të zonës dhe kalimtarë të rastit në vendin e ngjarjes, policia tha se ka shoqëruar edhe disa të njohur të tij nga Fieri, por me banim në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, ende nuk ka persona konkretë të dyshuar për ngjarjen ndërsa pista kryesore që po verifikohet është ajo e një vrasje me pagesë. Gjithashtu, është përcaktuar edhe arma me të cilën është realizuar vrasja, pasi gëzhoja dhe plumbi i përkasin një pistolete tip "TT". Ndërkohë, edhe policia e Fierit ka nisur hetimet në lidhje me ekzekutimin e Ardian Tahirit. Si pjesë të hetimit policia e Tiranës ka verifikuar edhe veprimtarinë e 28-vjeçarit, si dhe të shkuarën e tij dhe ai nuk rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë. Familjarët e Fatmir Tahirit, biznesmenit nga Fieri tregojnë se nuk kanë asnjë lidhje gjaku me personin e vrarë mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet, përveç mbiemrit dhe vendlindjes. Të kontaktuar nga gazeta ata kanë treguar se nuk e njohin emigrantin e vrarë dhe se nuk kanë pasur asnjë raport me këtë person.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›