Spiro Kosova, mbijetesa e patriotit nën diktaturë
Alma Mile
Përpara çlirimit ai ishte një patriot i mirë. Kishte marrë pjesë në ngjarjet më të mëdha të kohës, qysh nga Kongresi i Lushnjës e lufta e Vlorës, por në vitet e sistemit të ri komunist, kjo pak dobi bënte. Nuk u ndje thjesht i lënë në hije, por edhe i shënjuar. Në këto kushte u mundua të mbijetojë. Në vazhdën e kërkimeve të tij studimore, por edhe botimit të kolanës së kujtimeve, historiani Marenglen Verli sjell për lexuesin librin "Shqipëria e viteve 1912-1964 në kujtimet e Spiro Kosovës". Spiro Kosova është një nga ata njerëz, me të cilët fati nuk u tregua shumë dorëlëshuar. I persekutuar gjatë viteve të diktaturës, u harrua e kaluara e tij patriotike, shërbimi si prefekt i Beratit, etj., etj. Të gjithë jetën e tij, veprimtarinë politike dhe patriotike, e hodhi në kujtime gjatë viteve '60. Në to tregohet metamorfoza e intelektualit, që për të mbijetuar bën gjithçka, merr pjesë vullnetarisht nëpër aksione, pavarësisht moshës, madje diku bëhet edhe qesharak, duke lavdëruar kushtet e mira të kampit të internimit në Shtyllas, ndërsa në të vërtetë, ai kishte tentuar të vriste edhe veten. Madje, edhe këto kujtime, sidomos pjesën nën diktaturë e ka shkruar i vetëdijshëm se ato do të lexohen nga dikush e ai mund të rehabilitohet. Kjo e vë në pikëpyetje besueshmërinë e disa fakteve, por historiani Verli thotë se libri, sidomos pjesa e parë ka vlera të mëdha historike. Ndërsa pjesa tjetër duhet parë me rezerva në momente të caktuara. Kujtimet e tij përmbajnë një volum të madh ngjarjesh, të cilat janë grupuar në dy vëllime. U desh gati 1 vit për të seleksionuar materialin e lënë nëpër fletë të verdha të daktilografuara, pa ndonjë rend të rregullt kronologjik. Në të parin ai trajton ngjarjet e para çlirimit, ku Kosovën e kemi vazhdimisht në kontakt me njerëz të shquar të kohës, apo në qendër të ngjarjeve më të mëdha. Përmes kujtimeve të tij, mund të kuptosh më mirë kontekstin e ngjarjeve, mënyrën e të jetuarit në Shqipëri, mentalitetin e shqiptarëve (jugorë, apo veriorë), situata sociale dhe ekonomike. Ai na jep të dhëna për jetën e diasporës shqiptare, tregon për ngritjen e flamurit, Kongresin e Lushnjës, kongresin e Përmetit, qeverinë e Nolit, mbrojtjen e kufijve në krah të Bajram Currit, etj. Një galeri e pafund personazhesh shpalosen në kujtimet e tij. Në vëllimin e dytë, i cili sapo ka dalë në treg, Kosova na sjell kujtimet e tij gjatë qëndrimit në jashtë vendit gjatë pushtetit të Ahmet Zogut, për të vijuar me kthimin e tij dhe ngjarjet, që pasuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, detyra e tij si nënprefekt i Bicajt, më tej i Dukagjinit, i Dragashit, deri në pozicionin e prefektit të Beratit, detyrë nga e cila duhet të jepte dorëheqjen pas hyrjes në qytet të forcave çlirimtare. Në kapitullin IV, përfshihen më së shumti kujtimet e Kosovës, si një i persekutuar, i cili përpiqet të mbijetojë në atë kontekst të dhënë. Vetë historiani Verli, thotë se lexuesi duhet të dallojë qartë subjektivizmin. "Pas vitit 1944, Kosova e ndjeu veten element të deklasuar. U përpoq të përshtatej me situatën e re, të mbijetonte. E ndjente se i përkiste një brezi tjetër, një psikologjie tjetër dhe se patriotizmi në të kaluarën nuk ishte gjithnjë mburojë efikase për momentin, aq më tepër, sepse jo gjithçka nga veprimtaria në të kaluarën konsiderohej, veprimtari patriotike. Në këtë periudhë të pasluftës, gjatë së cilës provoi edhe internimin në një situatë të rënduar jo vetëm nga "lufta e klasave" e "pushtetit popullor", por edhe nga konfliktet familjare, Spiro Kosova tentoi të vriste veten. Më pas në përpjekje të mëtejshme për të mbijetuar duket i thyer shpirtërisht, vuan ndoshta edhe nga paranoja, por përmes kujtimeve të tij biografike, që i hodhi në gjysmën e parë të viteve '60, tenton të tregojë, se gjithnjë ka vepruar si një patriot i mirë", - thotë Marenglen Verli.
Libri
Sapo ka dalë në treg vëllimi i dytë i librit "Shqipëria e viteve 1912-1964 në kujtimet e Spiro Kosovës". Libri na sjell kujtimet e një prej njerëzve të njohur të politikës, para çlirimit. Kujtimet e tij janë mbledhur dhe renditur në mënyrë kronologjike nga historiani, prof. Dr. Marenglen Verli. Në faqet e këtyre vëllimeve na vijnë ngjarje të mëdha në historinë e vendit, por edhe përjetime personale të autorit.
Lexim me tre shtresa
Për historianin Marenglen Verli, kujtimet e Spiro Kosovës, nëse lexohen me vëmendje, madje më mirë të themi nëse studiohen, japin një tablo me tre shtresa, për fat të mirë mjaft të dallueshme. Informacioni i saktë, detajet e vlefshme, jo vetëm me vlerë historike, por edhe sociale, ekonomike, biografike, etj., të konfirmuara pjesërisht edhe nga burime të tjera dhe të njohura në një masë të konsiderueshme edhe nga historiografia, dallohen lehtë nga moralizimet, apo argumentet e sforcuara për të arsyetuar veprime personale, ngjarje ose individë. Vërehet edhe ajo bojatisje, apo fokusim i ngjarjeve, momenteve, e aty-këtu individëve, nga ai këndvështrim që nuk do të pritej keq nga regjimi i kohës.