Besa, fitorja që përmbyt edhe më tepër Shkumbinin

Albania-Sport - Besa ka treguar se ajo fitore e bujshme, 1-2, që korri në mesjavë në Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" kundër Tiranës, nuk ishte një rastësi, duke kapërcyer sot pasdreke pësimin e një goli dhe duke fituar me të njëjtat shifra në fushën e vet përballë Shkumbinit, i cili tashmë e sheh veten mjaft të rrezikuar përsa i përket mbijetesës.
Në fakt, stadiumi "Besa" i Kavajës u zhyt në heshtje pas vetëm 120 sekondash lojë, kur Erion Rizvanolli e gjeti të papërgatitur skuadrën vendase dhe shënoi, duke e kaluar kështu Shkumbinin në epërsi. Gjithsesi, Besa u rikthye gradualisht në lojë dhe arriti të barazonte rezultatin 5 minuta para përfundimit të pjesës së parë, duke vijuar të vuante, por gjithsesi, ta fitonte ndeshjen 6 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, me anë të golit të Elokandit.