Mirgen Bushati: “Unë një përzjerje midis Igli Tares dhe Zlatan Ibrahimoviç”

Albania-sport - Mirgen Bushati, një sulmues potent i formuar në shkollën italiane, 17 vjec datëlindja, 25.06.1989, 187 cm, me 25 gola me ekipin e të rinjve të Trestinës në Serinë D. Sulmuesi potent, i gjatë 187 cm, konsiderohet nga shtypi italian si "il piccolo Tare", ndërsa nga trajneri i tij, Enrico Cerbella dhe përgatitësi prof.Paolo Turchi, si "il piccolo Zlatan". Bushati ndodhej sot në Tiranë, dhe përpara se ai të nisej nesër për në Itali, Albania-sport.com, kontaktoi me të. I rritur në Itali, me një theks të pastër kastelan, sipas shtypi italian, Bushati është nga ata djem të rinj të sigurt për të ardhmen e tyre. Është aktivizuar që në moshë të re me skuadrat italiane: Peruxhian, nga 12 vjec e duke vazhduar me paratërinjtë, është grumbulluar me përfaqësuesen e rajonit të Umbra (zona e Peruxhias e më gjërë), ka marrë pjesë në turneun Rimini, në të cilën spikati vite më parë edhe talenti Antonio Kasano, dhe tashmë është në kapiteni radhët e të rinjve të Trestinës.
Mirgeni është nipi i futbollistit të njohur të Partizanit, Ilir Bushati, kampion në sezonin 1978-1979 (trajner Bejkush Birce) i plejadës së Perlat Mustës, Safet Berishës, Sulejman Starovës, Ilir Lames e të tjerë kampionë të mëdhenj të Shqipërisë.
Mirgen, një pinjoll i ri i familjes futbollistike shkodrane Bushati. Një lojtar i ri që luan në Itali dhe testohet për disa ditë në Tiranë, te Shkëndia. Përse ju shërbeu kjo vizitë Shqipëri?
-Së pari, ndihem shumë i lumtur që kam ardhur në Shqipëri. U testova disa ditë pranë skuadrës së të rinjve të Shkëndisë. Pas katër ditë testimesh, të premten ishte i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares shqiptare U-19, zoti Ramadan Shehu së bashku me Astrit Macin. Në ndeshjen testuese brenda skuadrës së Shkëndisë u paraqita shumë mirë dhe shënova dhe një gol. Në radhët e Shkëndisë janë 4 lojtarë të ekipit Kombëtar U-19, madje kapiteni i këtij ekipi ishte dhe lojtari që më mbulonte mua. Gjithsesi qëllimi i ardhjes sime në Shqipëri ishte dhe një lloj ekspozimi i vetes sime, pasi e kuptoj që është ndoshta dhe e pamundur që drejtuesit e Kombëtares U-19, moshë të cilës i përkas tani të më ndiqni në ndeshjet ekipit tim në Itali. Me aq sa edhe specialistët shprehën në konsideratat e tyre, ndihem shumë i vlerësuar. Pavarësisht se luaj në kampionatet italiane, dëshira ime është të jap kontributin tim maksimal edhe për ekipet kombëtare të Shqipërisë, duke filluar së pari nga ato të moshave.
Me cilin ekip aktivizohesh në Itali?
- Në Itali luaj me ekipin e të rinjve të Trestina, në Serinë D, në rajonin e Umbrias, një kampionat që përfshin 20 skuadra. Luaj prej dy sezonesh me Trestinën, jam kapiteni i skuadrës dhe ndihem mirë. Them se më ka shërbyer shumë për formimin tim fillestar si futbollist i ri. Jam njëherësh golashënuesi më i mirë i Serisë D të rajonit të Umbrias me 25 gola. Sezonin i kaluar jam cilësuar si lojtari më i mirë të këtij rajoni. Madje jam zgjedhur në 20 lojtarët e përfaqësueses së Umbras në një liste prej 2500 futbollistësh ku morrën pjesë përfaqësueset e Lombardisë, Lacios, Piemonte. Në atë turne shënova dy gola kundër formacionit të Lacios, që të dy me kokë. Një nga trajnerët e mi të sezonit të kaluar ka qenë Mikele Borrielo, i cili ka luajtur me Napolin, kur doli kampion i Italisë në kohën e artë të Maradonës.
Sa i fortë është një kampionat i Serisë D?
-Do të thosha se është i një niveli të pranueshëm për futbollin profesionist. Lojtarët marrin një rrogë të kënaqshme dhe për më tepër që aty luajnë futbollistë të cilët kanë luajtur më parë në klube të Serive superiore dhe janë në fund të karrierës së tyre futbollistike. Te ekipi i Trestinës është aktivizuar Porcello i Juve Stabias i serisë C, apo Federiko Xhonti, ish –lojtar i Milanit. Tashmë ka disa lojtarë argjentinas Dias. Në Serinë D unë jam i vetmi lojtar shqiptar, ndërsa më parë ka luajtur edhe Armando Shllaku. Ekipi im ndodhet në vendin e katërt të Serisë D. I kemi mundësitë të luajmë në play-off për të kaluar në Serinë C.
Bushati, cilën konsiderojnë trajnerët e tu si cilësinë tendë më të spikatur?
- Edhe pse jam disi shtatlartë për moshën time të re, 187 cm, ndihem shumë i fortë në teknikën e përdorimit të topit dhe në taktikën e lojës. Por, armën time sekrete konsideroj goditjet standarde, të cilat m'i besojnë shumë herë. Nuk dua t'i shtoj merita të tjera vetes, por dhe në lojën në ajër dhe në c'markim jam me vlera. Një defekt të cilën ia vlerësoj vetes është mungesa e goditjeve të sakta me këmbën e majtë, pasi e preferuara ime është ajo e djathta.
Jeni përcaktuar nga shtypi italian si "Il piccolo Tare", përse ky krahasim mjaft joshës me sulmuesi shqiptar të Lacios dhe kapitenin e Kombëtares?
-Në fakt kjo i referohet një artikulli në gazetën italiane sportive "Corriere dello Sport" te rajonit të Umbrias (me 4 milionë banorë) kur luaja në radhët e të rinjve Tiferno Casiello, ku ndeshja ishte 3-0 për Lama dhe unë përmbysa rezultatin në 3-4 me katër gola të shënuar prej meje, brenda e pjesës së dytë. Atëherë isha 15 vjec, dhe në atë kohë Igli Tare luante me Roberto Baxhon te Breshia. Karekteristikat e mia të ngjashme me Iglin janë shtatlartësia dhe goditjet me kokë, ndërsa kam cilësi të vecantë nuhatjen që në Itali personifikohet me Pipo Inzagin. Besoj se shumë shpejt do të bëhem i njohur si Tare në Itali, por ndoshta edhe të vesh në një moshë të re fanellën e ekipit Kombëtar.
Sa i afërt është Bushati i ri, me sistemin e lojës italiane?
-Futbolli italian është shumë i përcaktuar në Europë dhe në Botë për sistemin e tij të lojës, ku mbizotëron më shumë taktika dhe në plan të dytë vendosen cilësitë individuale të lojtarëve. Në këtë kuptim unë ndihem plotësisht i përshtatur me mentalitetin e futbollit italian, pasi jam formuar aty qysh nga mosha 12-vjec, kam qenë në Akadeninë e Futbollit të Peruxhias, duke vazhduar me paratërinjtë.
Cila është e ardhmja e Bushatit në Itali?
Ëndrra ime është padyshim Seria A, por modeli im është Zlatan Ibrahimovic, edhe pse unë jam tifoz i Milanit. Trajneri i ekipit, Enrico Cerbella dhe përgatitësi prof.Paolo Turchi, një njeri shumë i njohur në ambientet sportive italiane, më thërrasin me shaka "il piccolo Zlata". Ata shprehen se kam të njëjtin vështrim të lojës dhe të njëjtin stil në fushë. Tani ndodhem në prag të nënshkrimit dhe të një kontrate legale me klubin, pasi tashmë më është krijuar mundësia që të përfitoj edhe nga rregullat e Ligës në Itali për të aktivizuar me ekipin e parë dy lojtarë nën moshë. Menaxheri im, Lulëzim Haxhiaj, një njeri me njohje të mëdha në Itali, është në kontakte me disa klube të Serisë C dhe B, të cilat, sipas tij kanë shprehur një interesim të dukshëm për shërbimet e mia. Haxhiaj ka pasur në listën e tij disa lojtarë të njohur të Serisë A si Makinua dhe Obina, dhe mbi të gjitha Obafemi Martins.
Intervistoi: Dash Frashëri