E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta, fitorja që mban hapin me Tiranën kryesuese

Albania-Sport - Teuta ka rrezikuar mjaft, por gjithsesi ka korrur frytet e guximit të saj, duke mposhtur Kastriotin në fushën e vet, me rezultatin 2-1 dhe duke ruajtur hapin me kryesuesen e Kategorisë Superiore, Tiranën. Ndonëse vendasit kaluan në epërsi pas 33 minutash lojë, kur Marenglen Kapaj finalizoi me sukses një aksion të vendasve, miqtë e gjetën të papërgatitur mbrojtjen e Teutës në minutën e 62-të dhe eshte Osui ai që gjen rrugën e rrjetës dhe barazon rezultatin për krutanët.
Gjithsesi, vetëm 5 minuta ka zgjatur kjo barazhesh në rezultat, pasi goli i pësuar e ka rizgjuar Teutën, e cila është hedhur menjëherë në sulm dhe, në minutën e 67-të, gjyqtari Bardhyl Pashaj do të akordojë një 11-metërsh për durrsakët, që do të shndërrohet në gol nga Bledar Mancaku. Teuta ruan vendin e dytë në renditje, por tashmë është në kuotën e 38 pikëve, 8 pikë prapa Tiranës kryesuese. Ndërkaq, horizonti bëhet i zymtë për Kastriotin, që tanimë duhet t'i bëjë mirë llogaritë për mbijetesë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›