E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa, formalitet me Kastriotin



Besa e kreu mjaft mirë formalitetin e kualifikimit në çerekfinale, duke fituar 3-0 ndeshjen e kthimit me Kastriotin e Kategorisë së Parë, që luajti nga fundi i pjesës së parë me dhjetë lojtarë. Takimi u zhvillua në stadiumin simpatik të Luzit të Vogël. Ndeshja e parë e zhvilluar në Krujë kishte përfunduar po me fitoren e Besës me rezultatin 2-1. Mesfushori me tipare sulmuese Gerhard Progri çeli serinë e golave në minutën e 14-të pas një aksioni tërësisht individual. Mbrojtësi 19–vjeçar i Kastriotit, Leonard Alla, u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 44-t. Ish-lojtari i Partizanit, Gerhard Progni, shënoi golin e dytë të kavajasve në minutën e 68-të falë një asisti të kosovarit Fitim Haliti. Për të mbyllur llogaritë e takimit mendoi lojtari i Shpresave, 20-vjeçari Basjan Tragaj, i cili realizoi një eurogol në minutën e 82-të të takimit. Besa, që arriti për herë të 20-të në çerekfinale në 52 edicione që ka marrë pjesë, do të përballet me Shkumbinin në dy sfida shumë të nxehta, duke parë dhe marrëdhëniet e tensionuara së fundi midis dy klubeve dhe tifozerive.

Vllaznia lë me “gisht në gojë” Teutën

Talenti 20-vjeçar i Teutës, Emiliano Vila, shënoi në “Loro Boriçi” golin e “vockël”, atë 2-1, që mund të çonte durrsakët për herë të 36-të në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, por pas vetëm 60 sekondash lojë lezhjani Dritan Smajli shënoi golin e tretë për Vllazninë, atë 3-1, duke i çuar shkodranët për herë të 44-t midis tetë më të mirave të Shqipërisë. Talenti 21-vjeçar Ndriçim Shtubina realizoi një gol të përkryer në minutën e 16-të, falë asistit të dhënë nga Edmond Doçi, duke lënë të befasuar portierin durrsak Bledi Vashaku. Tri minuta më pas ishte korçari Paulin Dhëmbi, i cili shfrytëzoi harkimin nga një goditje këndi duke dyfishuar shifrat për Vllazninë. Në minutën e 34-t, Teuta shkurtoi diferencën falë një goli të zgjuar të Vilës, i cili shfrytëzoi mosmarrëveshjen e portierit të Vllaznisë, Armir Grima, me Amarildo Belishën. Gëzimi i durrsakëve zgjati vetëm një minutë, pasi blerja verore e presidentit Valter Fushaj, realizoi në minutën e 35-të me një silurë nga 20 metra, që i solli edhe kualifikimin Vllaznisë. Në çerekfinale, Vllaznia do të përballet me Dinamon ndaj së cilës ka një bilanc pozitiv në kualifikimet direkt: 10-8.

Shkumbini eliminon Apoloninë

Shkumbini zuri një vend midis tetë më të mirave në Kupën e Shqipërisë, duke mposhtur 2-0 Apoloninë, falë dy golave të realizuar në pjesën e dytë nga futbollistët gjirokastritë, Arlind Nora në minutën e 70-të nga pika e bardhë dhe Fejzo Shenaj me kokë në minutën e 75-të. Takimi i parë në “Loni Papuçiu” kishte përfunduar në barazim 0-0. Në çerekfinale, Shkumbini do të përballet me Besën, dikur një aleate e edicionit 2006-2007 (Shkumbini e toleroi në Kupë, dhe Besa fitoi atë vit trofeun), por sot një “armike” e betuar.

Elbasani ndëshkon Besëlidhjen

Një gol nga talenti 19-vjeçar, Eder Peti, në minutën e 6-të dhe një tjetër i realizuar në pjesën e dytë me penallti nga ana e 34-vjeçarit Gentian Stojku, në minutën e 59-të, i dhanë jo vetëm fitoren 2-0 Elbasanit ndaj Besëlidhjes, por e çuan për herë të 30-të në çerekfinale 2 herë fituesen e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja u ndoq nga vetëm 200 shikues. Takimi i parë në Lezhë kishte përfunduar në barazim 2-2. Elbasani do të përballet në çerekfinale me Tiranën, 13 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, në një sfidë shumë tërheqëse.

Flamurtari u falet kroatëve

Falë dy golave të realizuar nga dy futbollistë kroatë, Flamurtari i Edmond Liçajt arriti t’i imponohej Bylisit në fitoren 2-1 me formacionin ballshiot në takimin e zhvilluar në Vlorë.
Brajkoviç realizoi golin e parë për Flamurtarin në minutën e 33-të, por vlonjati i Bylisit, Roland Nënaj, barazoi shifrat në minutën e 60-të. Për të “eliminuar” kohën shtesë mendoi braziliano-kroati Alvizh, i cili realizoi në minutën e 65-të direkt nga gjuatja e lirë. Në çerekfinale Flamurtari, që e ka fituar 2 herë Kupën e Shqipërisë (1984-1985, 1987-1988), do të përballet me Partizanin (15 herë fitues).

Disiplina, “kërcasin” gjobat

510 mijë lekë. Kaq është shuma totale e gjobave të vendosura nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (17.12.2008), ku pjesën e “luanit” e zënë klubi i futbollit “Besa” (100 mijë lekë për mosmarrje të masave të mjaftueshme organizative gjobitet) dhe futbollisti i Sopotit të Kategorisë së Parë, Nuredin Sula (po 100 mijë lekë për goditje me grushte të trajnerit të ekipit kundërshtar, Përparim Daiut, të Dajtit). Pa u ndëshkuar nuk mbetën as haitiani i Besës, Herby Fortunat (30 mijë lekë gjobë), i cili i hodhi “thonjtë në grykë” futbollistit të Shkumbinit, Daniel Ramazanit, në takimin Besa-Shkumbini (2-0), por dhe “tre muskutjerët” e Vllaznisë, Suad Lici, Safet Osja e Armir Grima (secili nga 30 mijë lekë). Edhe kapiteni i Lushnjës, Gentian Cela, për gjeste fyese dhe provokuese ndaj zyrtarëve të FSHF-së, u pezullua 2 ndeshje, shoqëruar me një gjobë prej 30 mijë lekësh. Me gjoba e pezullime u ndëshkuan edhe disa futbollistë të kategorive inferiore.

Shqipëria në ashensor, ngjitemi 5 vende në FIFA

Shqipëria i hipi “ashensorit”, duke u ngjitur pesë vende në renditjen botërore të FIFA-s për muajin dhjetor, duke qenë tashmë në vendin e 81-të nga i 86-ti që renditej në muajin nëntor. Barazimi 1-1 me Azerbajxhanin në Baku i dha një bonus 14-pikësh përfaqësueses sonë dhe tashmë është në kuotën e 424 pikëve. Duke parë renditjet gjatë 12 muajve të vitit 2008, vendi i 81-të i arritur në dhjetor është një vend larg, dy muajve më të mirë të këtij viti, janarit (vendi i 80-të) dhe qershorit (po në vendin e 80-të). Në muajin shkurt 2008, Shqipëria ka pasur dhe renditjen më të mirë, vendin e 73-të. Edhe në renditjen specifike europiane, Shqipëria ka bërë përpara me +3 “hapa”, tashmë jemi në vendin e 36-të nga vendi i 39-të, duke lënë pas plot 17 vende nga 53 federata që aderojnë në UEFA. Nga kundërshtarët e tjerë të eliminatoreve të Botërorit 2010, Portugalia ka humbur një vend, e 11-ta në FIFA, Suedia (-3 vende, e 32-ta në FIFA) dhe Danimarka (-3 vende, e 37-a në FIFA). Hungaria ka bërë dhe “kërcimin” më të madh me + 9 vende (e 47-a në FIFA). Edhe Malta, kundërshtari ynë i radhës në ndeshjen zyrtare të 11 shkurtit, ka ngjitur 3 vende, tani e 147-a në FIFA dhe e 49-ta në renditjen e UEFA-s.

SPANJA

Renditja botërore dhe ajo europiane kryesohet nga Spanja (1663 pikë), Gjermania (1381 pikë) e Holanda (1338 pikë).

Renditjet Viti 2008
Muaji Vendi Pikë
Janar 80 407
Shkurt 73 421
Mars 74 416
Prill 76 418
Maj 76 471
Qershor 80 375
Korrik 100 359
Gusht 101 359
Shtator 102 352
Tetor 82 416
Nëntor 86 410
Dhjetor 81 424

18 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›