E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Tiranës: Suksese, nivel i ulët profesional dhe dosje të pazbardhura

Shifrat për Policinë e Tiranës
janë përmirësuar,
por problemet nuk kanë
të sosur. Në një analizë
11-mujore, krerët e Policisë së Shtetit
kanë folur me nota të ashpra
për uniformat blu të Tiranës për
formimin profesional të tyre.
Duke marrë shkas pas një sërë
testimesh për punonjësit e policisë,
gjatë analizës së Policisë së
Tiranës, zëvendësdrejtori i
përgjithshëm, Agron Kuliçi,i ka
kritikuar për përgatitjen e pamjaftueshme.
Për shkak të angazhimeve
të tjera, në analizë mungonin
ministri i Brendshëm, Bujar
Nishani, si dhe zëvendësit Gent
Strazimiri dhe Iva Zajmi.
Dje paradite, Drejtoria e Policisë
së Tiranës, bëri një bilanc të
punës gjatë vitit që po mbyllet,
duke publikuar edhe analizën
11-mujore të saj. Kreu i policisë,
Hamdi Fjora, i cili nuk ka shumë
kohë që është emëruar, duke
falënderuar edhe paraardhësit,
tregoi se shifrat pozitive të çdo
sektori kanë ardhur në rritje, krahasuar
me të njëjtën periudhë të
një viti më parë. Më e rëndësishme
për të ka qenë zbulimi i
ngjarjeve kriminale të regjistruara
gjatë këtij viti, të cilat kanë
ardhur në rritje për shkak të evidentimit
më cilësor nga efektivët
e kësaj drejtorie. Njëkohësisht në
rritje ka ardhur edhe zbulimi i
tyre, ku sipas shifrave, 86% e krimeve
që janë kryer gjatë 11 muajve
në Tiranë janë zbardhur nga
policia. Gjithashtu, puna e policisë
u përgëzua nga zëvendësdrejtori
i përgjithshëm, Agron
Kuliçi. Por, nga ana tjetër, drejtuesi
i Departamentit të Hetimit të
Krimeve, njëkohësisht numri dy i
Policisë së Shtetit, Kuliçi, ka folur
me nota të ashpra për formimin
profesional të punonjësve të policisë,
në një kohë që kriminaliteti
po sofistikohet. "Punonjësit duhet
të jenë të ndërgjegjshëm për
përgatitjen e pamjaftueshme për
nivelin e ulët profesional. Është
bërë shumë pak punë për të rregulluar
këtë situatë", u shpreh
Kuliçi. Gjithashtu, ai nënvizoi rastet
kur strukturat e Policisë së Tiranës
nuk koordinojnë me ato të
Drejtorisë së Antikrimit të Organizuar,
duke mos lënë frymë bashkëpunimi.
Më tej, ai kërkoi më
shumë punë për zbulimin e
vrasjeve të bujshme të ndodhura
pas vitit 1997. Por, nivelin e pakënaqshëm
të formimit policor e
ka përmendur edhe prokurori i
Tiranës, Genti Xholi. Prokurori
Xholi vuri në dukje buxhetet e
pamjaftueshme për faturat e
hetimit të krimit dhe mungesën e
personelit të plotë në strukturat e
reja të policisë. Ndërsa Avokati i
Popullit, i cili mori pjesë në këtë
mbledhje, theksoi faktin se në
komisariate ka ende dhunë.
Avokati i Popullit, Ermir Dobjani,
kërkoi që të respektohen me korrektësi
liritë dhe të drejtat e njeriut.
Në fjalën e tij, Dobjani bëri
thirrje për më shumë fonde për
përmirësimin e infrastrukturës së
mjediseve të shoqërimit në komisariatet
e policisë, duke theksuar
se kjo do të ketë impakt pozitiv
në trajtimin e personave që
shoqërohen, arrestohen apo
ndalohen për krime të ndryshme.
Më tej, Avokati i Popullit përgëzoi
Policinë e Tiranës për zbulueshmërinë
e krimit dhe ndëshkimin
e autorëve të saj dhe siguroi për
bashkëpunim gjithnjë e më të
ngushtë me Policinë e Shtetit.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i
policisë, Ahmet Prençi, deklaroi se
do të bashkëpunojë me institucionin
e Avokatit të Popullit për të
evidentuar dhe dënuar rastet e
dhunës në qeli. Ai premtoi se procesi
për përmirësimin e kushteve
në komisariate dhe trajnimet e
efektivave janë prioritete të Policisë
së Shtetit.

Kreu i policisë kryeqytetase: Detyrat tona për vitin 2009

Veç analizës së kryer për
punën gjatë vitit 2008,
kreu i Policisë së Tiranës
bëri publike dhe detyrat
prioritare për vitin që vjen. Në
fjalën e tij, drejtori i policisë së
qarkut, drejtues i parë, Hamdi Fjora,
theksoi se gjatë këtij viti, në
Qarkun e Tiranës, janë evidentuar
dhe referuar 4220 vepra penale
dhe janë zbuluar 3560 prej tyre,
ose 84%. Fjora vuri në dukje se lufta
dhe përpjekjet e policisë së
qarkut për sigurinë e rendit publik
dhe goditjen e krimit në tërësi,
janë të dukshme, të ndjeshme
dhe të vlerësuara nga qytetarët.
Sipas tij, në veprat penale të evidentuara
gjatë kësaj periudhe
janë implikuar gjithsej 3612 autorë,
nga të cilët janë arrestuar
1040 dhe 2424 ndiqen në gjendje
të lirë. Po ashtu, vuri në dukje ai,
gjatë 2008-ës janë kapur 402 persona
të shpallur në kërkim, nga të
cilët 29 kanë qenë në kërkim për
vrasje, 27 për vrasje të mbetur në
tentativë, 23 për plagosje të rëndë,
6 për shfrytëzim prostitucioni, etj.
Gjatë kësaj periudhe, theksoi Fjora,
janë organizuar dhe finalizuar
me sukses 65 operacione policore
për goditjen e grupeve kriminale
apo individëve me rrezikshmëri të
theksuar shoqërore. Ai sqaroi se 55
operacione janë organizuar nga
strukturat e Luftës Kundër Krimit
të Organizuar dhe Financiar dhe
10 nga strukturat e Luftës Kundër
Krimeve Kundër Personit dhe Pasurisë.
Gjithashtu, ai vuri në dukje
se 2009-a, do të jetë viti i angazhimeve
dhe obligimeve të mëdha
për Integrimin e Shqipërisë në
Bashkimin Evropian. Prej disa
vitesh, Shqipëria ka ndërmarrë
një sërë reformash në funksion të
këtij integrimi dhe pjesë e këtyre
janë edhe ato të ndërmarra nga
Policia e Shtetit. "Ky objektiv është
dhe mbetet prioritet në veprimtarinë
e pritshme të strukturës
sonë. Në lidhje me detyrat
konkrete-Fjora shtoi-se në zgjedhjet
parlamentare që do të zhvillohen
vitin e ardhshëm, strukturat
policore do të jenë garante për një
proces zgjedhor të qetë dhe të lirisë
së votës së qytetarëve, duke
ruajtur gjithnjë pozicionin ligjor të
paanësisë politike". Gjithashtu,
detyra konkrete janë dhënë edhe
në drejtim të punës për luftën
kundër veprimtarisë kriminale, që
nga evidentimi i veprave penale,
zbulimi i tyre, mbajtja nën kontroll
për personat me precedentë penalë
e shumë detyra të tjera.

Droga e bllokuar
- Heroinë 25 kg e 641 gramë
- Kokainë 407 gramë
- Kanabis Sativa 159 kg e 110 gramë
- Metadon 61 tableta
- Ekstazi 72 tableta dhe 16 kapsula
- Përzierës 7 kg e 139 gramë
Krahasimi për zbulimin e krimeve
- Në vitin 2006 janë evidentuar 3268 vepra penale dhe janë
zbuluar 2514 ose 77%
- Në vitin 2007 janë evidentuar 3717 vepra penale dhe janë
zbuluar 3102 ose 83%
- Në vitin 2008 janë evidentuar 4220 vepra penale dhe janë
zbuluar 3560 ose 84%
- Për një periudhë 2-vjeçare është rritur fuqia zbuluese me 7%
Krime kundër jetës
- Krime kundër jetës kanë ndodhur 78, zbuluar 73 prej tyre ose
94%
- Vrasje me dashje kanë ndodhur 14 dhe janë zbuluar 12 prej
tyre ose 86 %
- Vrasje të mbetura në tentativë kanë ndodhur 60 dhe zbuluar
57, ose 95%
- Vrasje nga pakujdesia kanë ndodhur 4, të gjitha të zbuluara
- Krime kundër shëndetit kanë ndodhur 55, zbuluar 48 ose 87%
- Krime kundër lirisë së personit kanë ndodhur 19, zbuluar 19
ose 100%, prej të cilave 3 rrëmbime personi, 3 shtrëngim për
dhënie pasurie dhe 13 heqje të paligjshme të lirisë
- Krime seksuale janë evidentuar 17, zbuluar 16 ose 94%
- Vepra të tjera penale kundër personit kanë ndodhur 917, e
zbuluar 905 prej tyre 99%
Aksidentet
- Gjatë vitit 2008 kanë ndodhur 434 aksidente ose 67 më tepër
se vitin që kaloi
- Aksidentet kanë shënuar 65 viktima ose 15 më pak se
periudha krahasuese
- Nga aksidentet, 58 persona janë plagosur rëndë dhe 356
persona të plagosur lehtë
- Janë ndëshkuar gjithsej 311980 kundërvajtës, me vlerë
305181301 lekë, nga e cila është arkëtuar 91% e saj
- Janë bllokuar 4015 ose 2516 mjete më shumë se vitin që
kaloi, për shkelje të ndryshme të legjislacionit rrugor
- Janë pezulluar 4324 leje drejtimi për shkelje të Kodit Rrugor
ose 1858 më tepër se në vitin 2007
- Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative ka
marrë 8444 vendime

PRIORITETET 2009

Detyrat për luftën ndaj krimit të organizuar
1. Zhdukja e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike në Tiranë
2. Goditja permanente e vendeve, të cilat njihen si pika të furnizimit
me lëndë narkotike të personave përdorues të tyre
3. Moslejimi i afrimit në shkolla, ambiente të jetës kolektive dhe
vende të argëtimit, të personave që njihen nga ana jonë si
shpërndarës të lëndëve narkotike
4. Sigurimi i informacionit, si nga burime të kualifikuara ose jo dhe
përdorimin e teknikave speciale të hetimit për goditjen e trafikut
të lëndëve narkotike dhe personave që e zhvillojnë atë
5. Identifikimi dhe hetimi me profesionalizëm i krimit ekonomik,
pastrimit të parave, kontrabandës dhe evazionit fiskal
6. Ndjekja, dokumentimi dhe penalizimi i rasteve për tjetërsimin e
pronave nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, apo mënyrave të
tjera të përfitimit të kundërligjshëm
7. Lufta kundër trafiqeve të paligjshme, në të gjitha format e
shfaqjes së tyre, duke pasur si prioritet trafikimin e qenieve
njerëzore, kryesisht fëmijëve dhe femrave

Arritjet sipas sektorëve
Seksioni i Luftës Kundër Narkotikëve
Për këtë periudhë ka evidentuar 138 raste të trafikut dhe
shpërndarjes të lëndëve narkotike me 226 autorë, nga të cilët 165
të arrestuar
Seksioni i Luftës Kundër Trafiqeve
Ka evidentuar 177 raste të veprave penale, ku janë implikuar dhe
proceduar penalisht 181 autorë, prej të cilëve 54 janë arrestuar
në flagrancë dhe 127 në gjendje të lirë
Seksioni i Luftës Kundër Krimeve Ekonomiko-Financiare
Ka evidentuar dhe kallëzuar në prokurori 742 vepra penale. Janë
proceduar penalisht 434 autorë, nga të cilët 111 janë arrestuar në
flagrancë dhe 323 ndiqen në gjendje të lirë
Seksioni Kundër Korrupsionit
Ka evidentuar 114 vepra penale, ku janë proceduar 159 autorë,
shumë prej të cilëve i kanë kaluar prokurorisë me fakte të
pakundërshtueshme nga Gjykata
Seksioni Kundër Pastrimit të Parave
Ka evidentuar 47 vepra penale, me 47 autorë, nga të cilët 8 janë
arrestuar, 37 ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›