E Diel, 1 Nëntor 2026

Koalicionet, 10 mijë vota në secilin qark sigurojnë një mandat deputeti

Llogaritja e numrit minimal të votave për të fituar një deputet në secilin prej qarqeve. Në Qarkun e Kukësit, një mandat deputeti vlen më shumë se 10 mijë vota

Shaban Sulçe

Koalicionet konkurruese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të fitojnë të paktën 10 mijë vota për të patur të sigurt marrjen e një mandati deputeti në secilin prej 12 qarqeve ku do të konkurrohet. Marrja e më pak se 10 mijë votave do të vinte në dyshim fitoren e të paktën një mandati deputetësh për koalicione konkurruese si ai i LSI-së apo ai i PDK-së, ndërkohë që këto mandate mund të përfitohen nga partitë aleate si PSD e PR, të dy koalicioneve kryesore, edhe pse mund të kenë një numër më të paktë votash. Shkak për këtë duket se do të jetë sanksionimi në Kod i ndërthurjes së formulave D’hondt dhe Saint Laguë për numërimin e votave dhe shpërndarjen e mandateve. Siç dihet, në zgjedhjet e ardhshme sipas Kodit të ri Zgjedhor numërimi i votave do të bëhet me formulën D’hondt, e cila favorizon dy koalicionet e mëdha, PS dhe PD. Për dy koalicionet e tjera, fitimi i të paktën një mandati deputeti, në secilin prej qarqeve, do të jetë i sigurt në rast se fitojnë mbi 10 mijë vota.

Qarqet

Sipas përllogaritjeve, për të fituar të paktën një deputet në secilin prej qarqeve konkurruese, koalicionet duhet të sigurojnë rreth 10 mijë vota. Kështu për Qarkun e Shkodrës duhen 9934 vota, për Qarkun e Kukësit 11062 vota, të Lezhës 9706 vota, të Dibrës 9702 vota, të Durrësit 10199 vota, të Tiranës 10007 vota, të Elbasanit 10090 vota, të Fierit 10247 vota, të Beratit 10776 vota, të Korçës 10279 vota, të Gjirokastrës 9394 dhe për Qarkun e Vlorës 9894 vota.

Votat

Por si llogaritet numri minimal i votave për të siguruar të paktën një deputet në secilin prej 12 qarqeve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Si shembull po marrim Qarkun e Tiranës. Numri i votuesve të regjistruar në Qarkun e Tiranës është 660 505. Mbi bazën e këtij numri, sipas formulës që është sanksionuar në Kod, Qarku i Tiranës do të ketë 33 deputetë në Parlamentin e ardhshëm. Duke qenë se pjesëmarrja në votime tradicionalisht (jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë) ka qenë rreth 50%, atëherë pritet që numri i votave në këtë qark të jetë 330 252. Duke e pjesëtuar këtë numër me 33 (numrin e deputetëve), rezultati del 10 007, të cilat janë votat që duhen për të siguruar të paktën një deputet në këtë qark.

Pragu elektoral
Qarqe të mëdha, prag elektoral të ulët. Formula është mëse e qartë dhe kjo duket se do t’i inkurajojë koalicionet për të konkurruar me ambicie për të fituar më shumë se 1 deputet edhe në qarqet që njiheshin si bastione kundërshtare. Rekordin për pragun më të ulët elektoral e shënon qarku i Tiranës, i cili është në nivelin 3%. Pas Tiranës, Qarku i Fierit shënon nivelin më të ulët të pragut elektoral, i cili është 6.25%. Më tej, renditja vijon me Elbasanin 7.1%, Durrësin 7.6%, Vlorën 7.7%, Korçën 8.3 dhe Shkodrën 9%. Por krejt e kundërta do të ndodhë me qarqet e vogla të vendit, ku niveli i pragut elektoral do të kapërcejë deri në shifra të “llahtarshme”. Kështu, rekordin do ta zërë Qarku i Kukësit duke shënuar shifrën 33.3% të pragut elektoral. Për të siguruar të paktën një deputet në këtë qark, koalicionet konkurruese duhet të marrin 11 mijë vota nga 33 mijë votues të mundshëm që do t’i drejtohen kutive të votimit. Përqindje të larta të pragut elektoral shënojnë edhe Qarqet Dibër dhe Gjirokastër, me 16.6%, ndërsa Qarku i Beratit dhe ai i Lezhës do të kenë nivelin 14.2% të pragut të tyre elektoral.

Tabela

Qarku Votues Deputetë Votues Vota për Pragun
në listë Të mundshëm 1 deputetë
1-Shkodër 218560 11 109280 9934 9%

2-Kukës 66375 3 33187 11062 33.3%

3-Lezhë 135890 7 67945 9706 14.2

4-Dibër 116431 6 58215 9702 16.6%

5-Durrës 265180 13 132590 10199 7.6%

6-Tiranë 660505 33 330252 10007 3%

7-Elbasan 282528 14 141264 10090 7.1%

8-Fier 327918 16 163959 10247 6.25%

9-Berat 150871 7 75435 10776 14.2%

10-Korçë 246700 12 123350 10279 8.3%

11-Gjirokastër 112728 6 56364 9394 16.6%

12-Vlorë 257258 13 128629 9894 7.7%

Numërimi i votave, kritika për Kodin

Mënyra e numërimit të votave dhe e shpërndarjes së mandateve me anë të ndërthurjes së formulave D’Hondt dhe Saint Laguë është kritikuar ashpër kohët e fundit nga shumë ekspertë zgjedhorë.
Sipas ekspertëve, përdorimi i këtyre dy formulave dëmton rëndë parti të tilla si LSI apo LZHK, të cilat, pavarësisht se mund të kenë një numër më të madh votash se partitë e rreshtuara në koalicionet e PS-së dhe PD-së, nuk përfitojnë mandate deputetësh. “Ky kombinim i dy formulave dëmton rëndë partitë politike të vogla që nuk janë pjesë e koalicioneve të mëdha, sepse mandatet e tyre përllogariten me formulën D’hondt. Kjo do të thotë që numri minimal i votave për to për të nxjerrë një deputet është i lartë, ndërkohë që partive brenda koalicioneve u përllogariten mandatet sipas Sainte Laguë, ku numri minimal i nevojshëm për të nxjerrë një deputet është i ulët. Si pasojë e këtij kombinimi të qëllimshëm të dy formulave të ndryshme të numërimit, partitë e vogla që ngelen jashtë dy koalicioneve të mëdha janë të dizavantazhuar, pra nuk kanë shanse të barabarta garimi në zgjedhje”, - kanë qenë kritikat për Kodin në kapitullin e numërimit të votave dhe shpërndarjes së mandateve.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›