E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka lut Kuzen

Në Shqipëri kanë filluar të qarkullojnë emrat për pasardhësin e Josip Kuzes. Por ky i fundit ka bërë të ditur se presidenti i FSHF’së, Armand Duka i ka ofruar kontratën e re. Trajneri kroat ka pranuar se me dëshirë do ta drejtonte ndonjë klub, por thotë se e ka të vështirë t’u thotë jo shqiptarëve. 58-vjeçari gjatë këtij muaji do të vendosë për të ardhmen.

Ende pa u mbyllur fushata kualifikuese për ‘Euro 2012’, kanë filluar të qarkullojnë spekulime rreth largimit të mundshëm të Josip Kuzes nga bankina e Shqipërisë. Madje nëpër mediat shqiptare po qarkullojnë edhe emrat e se kush mund të jetë pasardhës i kroatit.

Por realiteti është ndryshe. 58-vjeçari në një intervistë dhënë medieve kroate të premten ka bërë të ditur se presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit (FSHF) Armand Duka i ka ofruar kontratën e re.

Ish trajneri i Dinamo Zagrebit ka pranuar se me dëshirë do ta drejtonte sërish ndonjë klub, por thotë se e ka të vështir tu thotë jo shqiptarëve. Megjithëkëtë 58 vjeçari gjatë këtij muaji do të vendos për të ardhmen.

“Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit do që unë të nënshkruaj një kontratë të re, ma ka ofruar këtë gjë, por unë i kam kërkuar pak kohë për t’u menduar dhe t’i kthej përgjigje. Kur u largova nga Tirana, pas ndeshjes me Rumaninë, i thashë të më presë për përgjigjen përfundimtare 15-20 ditë”, ka rrëfyer Kuze.

“Të them të drejtën, unë jam gati ta lë këtë detyrë tashmë, por s’mund t’u them shqiptarëve “jo”.Gjatë sëmundjes sime, që kalova në tetor të vitit të kaluar, ata më kanë ndihmuar shumë. Shqiptarët kanë qenë shpirtërisht dhe fizikisht me mua në atë moment të vështirë të jetës. Jo vetëm drejtuesit e futbollit në Shqipëri, por i gjithë populli atje. Atë përkrahje nuk mund ta harroj kurrë. Megjithatë, e mira për mua tani është të punoj me ndonjë klub,” ka thënë 58 vjeçari.

I pyetur nëse ishte i befasuar që emri i tij përmendet në mesin e kandidatëve për trajner të ri të Kroacisë, Kuze është përgjigjur: “Sinqerisht jo, nuk e shoh veten trajner të kombëtares kroate. Sllaven Biliç ka kryer një punë të mirë, ka arritur disa rezultate të mira. Natyrisht, do të më pëlqente të isha trajner i Kroacisë, por midis dëshirës sime subjektive dhe realitetit, mbizotëron kjo e fundit”.

Kuze ishte emëruar trajner i Shqipërisë në mes të vitit 2009 pasi zëvendësoi holandezin Arie Hane. Nën drejtimin e kroatit, kuqezinjtë përfunduan në vendin e pestë në Grupin D me vetëm 9 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›