E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Kosovë, refuzojnë Kupën

Derisa në mbarë botën ekipet luftojnë për trofe, në futbollin kosovar ndodh e kundërta. 20 ekipe nga Liga e parë dhe e dytë kanë refuzuar të marrin pjesë në Kupën e Kosovës për sezonin 2011/2012. Federata e Futbollit thotë se ekipet që refuzojnë këtë garë, sipas rregullores, duhet të suspendohen për një vit nga ky eveniment.

Në gjithë botën klubet e futbollit mezi presin rastin për të luftuar për ndonjë trofe. Kurse, në Kosovë ndodh e kundërta. Numri i skuadrave që kanë hequr dorë nga pjesëmarrja e garave për Kupën e Kosovës është tepër i madh.

Prej 52 klubeve, vetëm 32 prej tyre sivjet do të luftojnë për Kupën e Kosovës, nga i cili trofe kanë hequr dorë hiq më pak sesa 20 skuadra.

Ky fakt sigurisht se nuk u pëlqen udhëheqësve të Federatës së Futbollit të Kosovë (FFK). Sekretari i përgjithshëm i saj, Eroll Salihu shpjegon arsyet, sipas të cilave, shumë klube e kanë lajmëruar shtëpinë e futbollit se nuk do të marrin pjesë në garat për këtë trofe.

“Kjo shkaku i neglizhencës, por duhet të jemi edhe të kuptueshëm sepse shumë skuadra janë në krizë financiare, dhe në mungesë të mjeteve nuk mund të marrin pjesë në këto gara”, deklaroi Salihu për Express.

Sipas tij, rregulloret e FFK-së parashohin dënime për klubet të cilat ‘injorojnë’ garën për Kupë. “Sipas rregulloreve, klubi i cili refuzon të merr pjesë në garë për Kupë, vitin tjetër nuk i epet e drejta për të marrë pjesë”, theksoi Salihu.

Ai ka lënë të hapur mundësinë që në këtë rast klubet mos të dënohen për vitin tjetër, sepse, sipas tij, kryesisht kriza financiare i ka detyruar ato të heqin dorë nga lufta për Kupë. Salihu thotë se FFK-ja në raste të tilla duhet të ketë konsideratë për klubet e saj dhe duhet të mundohet për t’iu dalë në ndihmë.

Garat për Kupën e Kosovës do të nisin në këtë muaj. Ekipet pjesëmarrëse janë të ndara në dy grupe. Në Grupin e parë do të garojnë këto skuadra: Trepça ‘89, Besa, Prishtina, Hysi, Vëllaznimi, Drenica, Liria, KEK-u, Drita, Trepça, Lepenci, Gjilani, Feronikeli, Ferizaj, Flamurtari dhe Hajvalia.

Kurse në Grupin e dytë do të garojnë: Istogu, Ulpiana, Vitia, Ballkani, 2 Korriku, Fushë Kosova, Bashkimi, Artakolli, Tefik Çanga, Kaolini, Dukagjini, Australia, Kosova (P), Vigani, Rilindja, dhe Arbneshët.

Tërheqja e shortit për përcaktimin e qifteve do të bëhet më 20 tetor në FFK. Kurse, garat do të fillojnë më 26 tetor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›