Besa, lufte per mbijetese

Një skuadër që sezonin e shkuar rivalizonte për titull, e më pas, për një vend në Kupat e Evropës, por që tashmë është kthyer "në bazë", Besa mbetet padyshim një tjetër zhgënjim i këtij sezoni. Pa ndonjë emër të spikatur në organikë, me disa ndryshime në pankinë dhe me një formë që ka qenë më e kënaqshme në fushë të huaj sesa në fushë të vet, një dukuri kjo e pazakontë për futbollin shqiptar, skuadra kavajase e gjen veten tashmë vetëm një jap larg të paimagjinueshmes, rënies nga Kategoria.
Ajo që është e sigurt është se, me këtë pozicion që mban në renditje, Besa do të jetë në grupin e skuadrave që do të luftojnë për mbijetesë, në fazën e tretë të kampionatit dhe, falë natyrës kapricioze të kampionatit shqiptar, surprizat e pakëndshme nuk mund të përjashtohen asnjëherë.