Dinamo do kohë për “t’u nxehur”

E quajnë ndryshe "nëndetësja blu", për faktin se skuadrës së tretë të kryeqytetit i nevojitet ca kohë për "t'u nxehur", dhe zakonisht e karakterizon një "finish" i fortë, deri në kufinjtë e të qenit pretendent. Por një vend i gjashtë, me vetëm 24 pikë të marra nga 17 takime, që sinjalizojnë gjithashtu edhe kapërcimin e gjysmës së ndeshjeve të kampionatit, dhe fakti që drejtuesit e klubit blu i besuan drejtimin e skuadrës një njeriu pa përvojë në këtë drejtim, sic është Redi Jupi, vështirë se është platforma e përshtatshme për një finish të fortë këtë sezon.
Duke iu hedhur një sy shifrave të këtij sezoni të Dinamos, vëren se blutë e lojtarit/trajner, Jupi, kanë fituar 7 dhe humbur prapë 7 nga 17 ndeshjet e deritanishme, duke barazuar në 3 të tjerat, ndërkohë që sulmi ka qenë po aq pak efektiv sa mbrojtja, pasi kryeqytetasit kanë shënuar 18 e kanë pësuar po 18 gola në këto ndeshje. Kësisoj, ndonëse mbetet për t'u parë nëse kjo paqëndrueshmëri do të korrigjohet në gjysmën e dytë të sezonit, duhet theksuar se, duke patur parasysh konkurrencën që vjen nga skuadrat e tjera, një vend në Kupat e Evropës do të quhej padyshim një sukses.