E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, zhgenjim i nje kampioni

Zhgënjim. Kjo është fjala që e përmbledh më mirë këtë gjysmësezon të Elbasanit, që e nisi 2006-2007-ën me petkun e kampiones së Shqipërisë, për herë të dytë pas 26 vjetësh, por që tashmë e shikon veten në vendin e 5-të renditjes, plot 11 pikë pas Tiranës kryesuese dhe 7 pikë përpara Besës së vendit të 10-të, që është edhe skuadra e fundit e sigurt për mbijetesën në Kategorinë Superiore. Trajneri që i coi drejt titullit sezonin e shkuar, Ilir Daja, është larguar dhe tashmë është drejtor teknik i Dinamos, ashtu sikundër janë larguar edhe disa titullarë, të cilët dhanë një kontribut të rëndësishëm në përsëritjen e suksesit të 1984-s.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Viti i ri e gjeti Elbasanin me një trajner të ri, pasi Luan Deliu u shkarkua nga presidenti i klubit, Arben Laze, dhe vendin e tij e ka zënë tashmë Edmond Gëzdari. Gjithsesi, presidenti Laze ka premtuar një merkato të fuqishme gjatë ditëve të janarit 2007, duke synuar padyshim të qenit në valle për të mbrojtur titullin, ose, më së paku, sigurimin e një vendi në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm. Por, pavarsisht se futbolli shqiptar ka vërtetuar se është i aftë të prodhojë cudira, do të nevojitej një mrekulli që Elbasani të ruante titullin e fituar sezonin e shkuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›