E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa mund Laçin,‘fut’ Tiranën në Evropë



Leonard Karaj

Besa ka fituar në Laç, Tirana mund minimalisht Gramozin, ndërsa Skënderbeu merr një barazim pa gola në “Niko Dovana” ndaj Teutës.
Java e 30-të ka regjistruar rezultate deri diku të pritshme, por nuk ka munguar tek-tuk edhe ndonjë surprizë. Nëse mund ta quajmë të tillë rezultatin e një ndeshjeje të kësaj jave, është humbja e Laçit në shtëpi, me Besën, pikërisht në momentin më të mirë të tij, pasi kishte mundur Tiranën para pak ditësh brenda në “Qemal Stafa”. Duke treguar kështu se nuk e mban dot presionin, nuk e përballon dot objektivin “Europë”. Kjo duket qartë në dy ndeshje, mjaft përcaktuese në këtë drejtim, ndaj Shkumbinit dhe Besës në Laç, ku mund të kishte hedhur atë hapin e madh drejt vendit të dytë dhe jo më të diskutonte vendin e tretë. Me peqinasit barazoi 0-0, para tri javësh, ndërsa me Besën u mund 1-0, duke e lënë të hapur luftën për të marrë pjesë në Kupat e Europës. Një gol i Dragushës, shënuar me kokë në pjesën e dytë, ka ndëshkuar euforinë e kurbinasve, ndërkohë që i ka dërguar 3 pikët në “llogarinë” kavajase.
Evropa
Besa thuajse ka çimentuar pozicionin e saj dhe pret në kushte komode ndeshjen e javës së ardhshme, në Kavajë ndaj Tiranës. Një sfidë që mund t’i japë Besës përfundimisht vendin e dytë, nëse fiton, dhe e kundërta, mund ta hapë luftën për këtë pozicion në klasifikim, nëse bardheblutë marrin 3 pikët. Në kuadrin e javës së 30-të, Tirana ka bërë detyrat e shtëpisë, pa shkëlqim dhe pa histori, teksa ka mundur minimalisht, 1-0, Gramozin e rënë tashmë në kategori më poshtë. Një gol i të riut Hajdari u ka mjaftuar 24 herë kampionëve të vendit, që janë rikthyer sërish në vendin e tretë, duke ia rrëmbyer këtë pozicion shumë shpejt Laçit. Gjithsesi Evropa nuk është ende e sigurt ndaj duhet minimalisht një rezultat ndaj Besës javën tjetër.
Mbijetesa
Fitore me shumë vlera e Apolonisë, që ka përmbysur epërsinë e krutanëve, të arritur në pjesën e parë, falë një goli të shënuar nga Pema. Dy herë ka realizuar sulmuesi serbo-boshnjak Bërkic, i cili u ka dhënë fitoren të tijve, por njëkohësisht është ngjitur edhe në krye të listës së golashënuesve të superligës, me 15 gola. Duke qenë se bëhej fjalë për një sfidë, me një rival direkt për mbijetesë, Apolonia ka marrë 3 pikë mjaft decizive, që e barazojnë në renditjen aktuale me Skënderbeun, ndërsa krutanët fundosen në vendin e 11-të, duke i bërë shoqëri nga afër Gramozit, matematikisht i rënë një kategori më poshtë. Kujtojmë se në këtë ndeshje kanë dalë dy lojtarë me kartonë të kuq, Ragipoviç për vendasit dhe Turdiu për miqtë.
Teuta
Zhgënjim për Teutën e Durrësit, që vijon të mbetet në zonën e ftohtë dhe të rrezikshme të superligës. Barazimi i bardhë 0-0, në “Niko Dovana”, ndaj Skënderbeut, ka nxjerrë të kënaqur këta të fundit, që kanë marrë 1 pikë në transfertë, ndërsa “djemtë e detit” kanë bërë një hap fals, i cili mund t’u kushtojë në fund, aq më tepër që javën e ardhshme do të jenë mysafir në Krujë, ku Kastrioti vendas vështirë se do të tolerojë, pa fituar me të gjitha mënyrat. Ndaj, situata për durrsakët duket kritike edhe në perspektivën e javëve të mbetura, ashtu si edhe ajo e Kastriotit, pa përjashtuar këtu as Skënderbeun dhe Apoloninë. Në dy ndeshjet e tjera Shkumbini ka bërë “adetin” me Dinamon, tashmë të shpallur edhe matematikisht kampione ndërsa Vllaznia ka barazuar 1-1 në “Loro Boriçi”, karshi Flamurtarit mik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›