E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamionë e motorë përfshihen në aksidente, dy të vdekur



DURRES/LEZHE

Aksidentet në mesnatë marrin jetën e dy personave. Dy motorçikleta u përplasën mes tyre në një rrugë të Sukthit në Durrës, ndërsa në superstradën e Lezhës dy kamionë u "ndeshën", duke shënuar gjakderdhjen e radhës. Burime të policisë së Durrësit pohuan dje se, pak çaste para mesnatës së të premtes, dy motoçikleta u përplasë "kokë më kokë" me njëra-tjetrën në aksin rrugor që lidh Sukthin me Manzën. Bilanci është tragjik, pasi njëri prej motoçiklistëve, Selim Lushi, 36 vjeç nga Sukthi, ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa tjetri, U.Kurti, 25 vjeç ndodhet i shtruar në spital në gjendje kritike për jetën. Segmenti ku ndodhi aksidenti fatal, ndonëse lidh dy qyteza, është i pandriçuar natën dhe me gropa të shumta në mes të asfaltit. Mendohet se dritat e motoçikletave që ecnin në kahe të kundërta kanë verbuar drejtuesit, të cilët në momentin e fundit nuk kanë mundur dot të shmangnin përplasjen e fuqishme. Sipas ekzaminimeve të policisë, shkak kryesor i aksidentit është bërë shpejtësia e madhe e motoçikletave të tipit "Yamaha", të cilat në atë orë ishin të vetme në trafik. "Viktima dhe i plagosuri janë banorë të zonës së Sukthit", thanë burime policore. E njëjta situatë është krijuar rreth së njëjtës kohë në superstradën Lezhë-Shkodër, kur këtë radhë mjetet e përfshira në aksident kanë qenë dy kamionë. Burimet policore të Lezhës bënë të ditur se një prej kamionëve tip "Scania", që mbante targat KR 469A I, drejtohej nga Bujar Varfi, ndërsa tjetri DR 0191 A, "Iveco", nga Nikoll Kola. Ky i fundit ka tentuar të parakalojë mjetin me targë të Krujës, por nuk ka mundur, duke e përplasur në pjesën e fundit atë. Nga goditja e papritur dhe e fortë ka humbur jetën pasagjeri i kamionit, Ndue Marku, banor i lagjes 17 në Durrës. Nga hetimet e kryera, policia e Lezhës arriti në konkluzionin se Kola ka qenë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Ai u arrestua dy orë më vonë, me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Lezhës për hetime të mëtejshme.

Ballsh, dherat bllokojnë rrugën

BALLSH - Për rreth 30 minuta kanë qëndruar të bllokuar automjetet në aksin rrugor Ballsh-Tepelenë. Shkak për këtë është bërë rrëshqitja e dheut në vendin e quajtur "Povël", vetëm pak kilometra larg Fratarit. Si rezultat i rrëshqitjes dhe bllokimit të rrugës, një trajler është spostuar nga aksi, duke ngecur aty. Kjo ka bërë që më pas edhe shumë automjete të tjera të kenë të njëjtin fat, duke krijuar një kaos në trafik. Pas njoftimit të policisë, forcat e saj kanë larguar mjetin me vështirësi, pasi ishte i ngarkuar. Megjithatë, pas 30 minutash situata është normalizuar, ndonëse automjetet kanë vijuar të kalojnë vetëm në njërin krah të rrugës. Aksi rrugor Ballsh-Tepelenë ka vite që është kthyer në problematik dhe jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe për punëtorët që merren me mirëmbajtjen, pasi shirat e para provokojnë rrëshqitje nga kodrina mbi rrugë. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›