Besa, prova e vështirë e Duros

Në orët e para të pasdites, të dy ekipet do të zbresin në fushë për t’u përballur në një ndeshje shumë të rëndësishme, por të parë në këndvështrime të ndryshme.
Për kavajasit do të jetë një mundësi për të mos u shkëputur nga grupi i kreut. Ndërsa për të kuqtë do të jetë një takim shumë i rëndësishëm, pasi kthesa është shndërruar në një domosdoshmëri për Partizanin, i cili lundron frikshëm në fundin e tabelës së klasifikimit.
Partizani renditet në vend të fundit si asnjëherë tjetër dhe ka vetëm 5 pikë nga 9 ndeshjet e para. Gjithashtu, Partizanit i mungon fitorja prej tetë javësh, pasi fitorja e vetme erdhi që në javën e parë kundër Lushnjës.
Besa, nga ana tjetër, ka 15 pikë dhe vjen në këtë ndeshje pas tre fitoreve dhe një barazimi kundër Tiranës. Duke parë situatat krejtësisht të kundërta në të dy kampet, vendasit kavajas profilizohen si favoritët më të mundshëm për fitoren e këtij takim. Për faktin që luajnë në shtëpi, do të kenë edhe mbështetjen e tifozerisë së tyre.
Ndërsa trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, do të ketë disa mungesa të rëndësishme, pasi nuk do të ketë Elis Bakaj (për arsye kartonësh), Fatjon Tafaj dhe Armando Doda (për dëmtime).