E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihi, Kapllani e Hyka nuk grumbullohen në kombëtare

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, ka publikuar listën zyrtare me 20 lojtarë, që do të ketë në dispozicion për miqësoren me Azerbajxhanin.

Në Baku, drejtuesi i stolit kuqezi, i ka dhënë një shans dy shkodranëve të klubit turk Haxhetepe, Xhevahir Sukaj e Gilman Lika. Ish-lojtarët e përfaqësueses Shpresa janë grumbulluar në vend të Edmond Kapllanit dhe Hamdi Salihit.

I pari nuk po aktivizohet rregullisht te Karlsruhe në Bundesligë dhe kjo është parë si arsye e mjaftueshme nga tekniku holandez që t’i lejë hapësirë të rinjve.

Për Salihin, çështja është krejt e ndryshme: edhe pse është rikthyer në aksion me Ried, sulmuesi nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në kavilje. Të “paprekshëm” në repartin ofensiv mbeten Erjon Bogdani, i cili shihet si titullar i padiskutueshëm dhe Besart Berisha, që aktivizohet me Rosenborg.

Për shkak të mungesës së aktivizimit jashtë skuadrës për miqësoren e 19 nëntorit është lënë edhe mesfushori i Mainc në Bundesligën II, Jahmir Hyka.

Edhe pse u transferua me bujë në klubin gjerman, talenti kuqezi luan shumë pak (ose aspak). Në mesin e fushës nuk do të mungojnë titullarët Cana, Lala, Skela e Duro, ndërkohë që një fanellë e kanë fituar edhe Bulku, Agolli dhe Bakaj. Në mbrojtje nuk grumbullohet Andi Lila, lojtari i Tiranës.

Mes shtyllave vjen një tjetër “përjashtim”, ku Ilion Lika nuk është marrë parasysh për rolin e portierit të tretë, por në vend të tij është preferuar talenti kosovar i Palermos, Saimir Ujkani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›