"Po shohim edhe një herë një film të vjetër bardh e zi"
Një ceremonial i spikatur, që s’dihet në çfarë rregullash dhe manualesh protokollare bazohej, u organizua për të përcjellë Gazideden në banesën e fundit. I gjithë shteti u shkund për të marrë pjesë në mort. Pa u shprehur negativisht rreth kësaj teprie e pompoziteti të papritur, mjafton të kujtohet se ky lloj trajtimi nuk iu rezervua asfare, tre vjet të shkuara, një tjetër shefi të shërbimeve sekrete, Kujtim Hysenajt, një njeriu korrekt, profesionist dhe të ekuilibruar në detyrën që mbajti dhe në atë që bëri në jetë. Gazetari Minxhozi ka të drejtë kur thotë se ky disproporcion, i shoqëruar me një gjuhë të vjetër e të ngarkuar me togfjalësha të tipit “rebelimi komunist”, zbuloi për një çast në mënyrën më dëshpëruese, se poshtë cipës së hollë të kohës që ka rrjedhur, ky shtet vazhdon të ruajë disa reflekse të vjetra që nuk nderojnë askënd. Të bësh fushatë politike në varrim nuk është diçka elegante, por ta bësh këtë fushatë me argumente si ai i mësipërmi, nuk është as elegante dhe as e mençur. Nderimi për njeriun që ikën nga kjo botë është gjëja më normale dhe humane. Por nderimi i vdekjes, si moment përfitimi politik, është një gjest jo fort i gjetur. Sidomos këto ditë, kur po flitet shumë për “kodin e vdekjes”, duke nënkuptuar atë që ndodhi me Kosta Trebickën. Nga ana tjetër, paralel me këtë procesion mortor të çuditshëm, në vitrinën e politikës, tokja e duarve të dy ish-armiqve të dikurshëm, Berisha-Pollo, vendos edhe një gur mbi pirgun e rëndë që i ka prerë rrugën çdo mundësie reformimi të të djathtës. Bashkimi i kauzave me Doktorin, sipas tezës së vjetër se Berisha është i vetmi “gjenerator” votash i së djathtës në Shqipëri, është një kontribut i keq për emancipimin e këtij krahu politik dhe për mbajtjen gjallë të alternativave politike e njerëzore, për momentin kur Berisha nuk do të jetë më protagonist në jetën tonë politike. Një ngjarje e tillë politike na thotë edhe një herë me kokëfortësi se Shqipëria, ose më mirë një pjesë e saj, vazhdon të jetojë e ngulur fort në të shkuarën e afërt. Atëherë kur nuk dinim të përdornim as lirinë, as shtetin, as ligjet dhe as shanset që na ofroheshin. Gazidede gjeti prehjen, Pollo gjeti partinë, kurse ne na u duk se pamë edhe një herë një film të vjetër bardh e zi.