Besart Berisha hoqi dorë nga paratë për Arminian
Më në fund, Besart Berisha merr frymë lirisht. Telenovela e transferimit nga Bërnli tek Arminia Bielefeld përfundoi. Gjithçka është zyrtarizuar në kohë për fillimin e Bundesligës II gjermane. Sulmuesi i Kombëtares deklaroi: "Arminia ishte hapi i duhur për karrierën time. Mendoj se nuk mund të më paraqitej një shans më i mirë se ky". Objektivi i klubit është të rikthehet menjëherë mes më të mirave, pra në Bundesligë. Ky është edhe objektivi i 24-vjeçarit: ai synon të luajë në futbollin e madh, aty ku për herë të parë shkeli më 12 gusht të vitit 2006 me ngjyrat e Hamburgut, pikërisht kundër ekipit nga Bielefeldit. Berisha luajti 12 minuta, pa mundur të ndikojë në rezultatin final 1-1. Tri vjet më pas, të hënën, më 10 gusht, kuqeziu do të debutojë me Arminian. Shanset që trajneri Tomas Gershtner ta aktivizojë si titullar në sfidën me Hansa Rostok janë të mëdha. Drejtuesi i stolit dhe drejtori sportiv, Detlev Dameier, vlerësojnë maksimalisht cilësitë sportive dhe humane të sulmuesit. "Besarti tregoi se dëshironte me patjetër që të bëhej pjesë e skuadrës tonë dhe të luante me Arminian", pohoi Dameier. Dëshira për t‘u bërë pjesë e ekipit të Bundesligës II u konfirmua edhe nga vetë Berisha, që me largimin nga Bërnli (skuadër që do të luajë në Premierligë), pranoi të përfitonte një rrogë më të ulët sezonale. "Në Angli përfitoja më shumë para, por doja me patjetër që të transferohesha në një skuadër ku do të kisha hapësira për të luajtur", tha lojtari. Në vitin 2004 ai u transferua nga Tenis Borusia Berlin te Hamburgu, pasi u shpall golashënuesi më i mirë në "Bundesligën A" për të rinj. Pas gjashtë muajsh në "HSH Nordbank Arena", filloi edhe odiseja tek Alborgu e Horsens (në Danimarkë). Pas një sezoni te Hamburgu (2006/07), Berisha u transferua te Bërnli. Gjatë dy vjetëve te britanikët, ai nuk luajti asnjë ndeshje zyrtare, pas një dëmtimi në fillim të sezonit. Gjatë kësaj periudhe sulmuesi luajti në formë huazimi te Rosenborg (Norvegji) dhe sërish te Horsens, deri sa u shit për 100 mijë euro tek Arminia.