E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besart Ibraimi në Schalke

Pesë ditë para fillimit të stinorit pranveror, të dielën në Veltins Arena kundër Nurnbergut, Schalke 04 ka qenë aktive në tregun e blerjeve. Klubi gjerman e ka angazhuar futbollistin shqiptar nga Maqedonia, Besart Ibraimi, i cili në radhët e Schalkes kaloi nga kryesuesi i tabelës në Maqedoni, Renova nga Xhepçishti.

Schalke ka nënshkruar një kontratë për tri vjet e gjysmë me sulmuesin Ibraimi, 23-vjeçar, deri më 30 qershor të vitit 2013. “Ai do të na gëzojë në të ardhmen. Por, gjithashtu është ky edhe një investim dhe angazhim për të ardhmen”, deklaroi trajneri i Schalkes, Felix Magath, për uebfaqen zyrtare të klubit.

Mediat gjermane shkruajnë se Schalkes i ka kushtuar Ibraimi rreth 500 mijë euro. Stinorin e kaluar, Ibraimi ka shënuar 13 gola në 26 ndeshje të kampionatit të Maqedonisë, ndërsa këtë sezon, ai ka shënuar tetë gola në dhjetë ndeshje. Ibraimi ka zhvilluar pesë ndeshje për Përfaqësuesen e Maqedonisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›