E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana konfirmon humanitetin

Kapiteni i Sunderlandit dhe përfaqësues i Shqipërisë, Lorik Cana, pas tragjedisë së përmbytjeve në territoret në veri të Shqipërisë, ka shpalosur edhe një herë shpirtin e tij prej humanisti, duke u solidarizuar me familjet e përmbytura në veri të Shqipërisë.

Ai me këtë rast dhuroi 10 mijë euro për ndihma në fondin emergjent. Këtë lajm e ka bërë të ditur vet mesfushori kosovar për Express.

“Me shqetësimin më të madh po e përcjell situatën në veri të vendit, e cila si pasojë e reshjeve dhe prurjeve të shumta, ka shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve të mëdha territoresh. Duke i ndjerë në vete këto pasoja, në shenjë solidarizimi me banorët e këtyre territoreve të përmbytura, dhuroj shumën prej 10.000 eurosh, me destinacion për ndihmë të familjeve të këtij rajoni. Me këtë rast inkurajoj të gjitha përpjekjet që shteti shqiptar, individët, organizatat dhe vendet mike, të cilët po bëjnë të pamundurën për t’iu gjetur sa më afër popullatës së këtyre zonave të prekura nga kjo tragjedi”, ka thënë Cana.

Ai shfrytëzoi rastin që t’iu bëjë thirrje të gjithë atyre që kanë sadopak mundësi, të ndihmojnë dhe t’u gjenden në çfarëdo forme pranë familjeve të përmbytura, duke ndihmuar për kapërcimin e kësaj situate.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›