E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqësore për Pavarësi

17 Shkurti, dita që shënon dyvjetorin e shtetbërjes së Kosovës, pritet të nderohet me disa ngjarje më të mëdha sportive, krahasuar me 17 shkurtin e vitit të kaluar, kur në atë ditë feste në Prishtinë u zhvilluan vetëm dy aktivitete sportive: ndeshja miqësore në futboll ndërmjet FC Prishtinës dhe Dinamos së Tiranës dhe “Turneu i Pavarësisë” në boks.

Ndërsa, kësaj here, për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në vend pritet të zhvillohen më shumë aktivitete sportive dhe të cilat do të organizohen nga Federatat kosovare të sporteve më të popullarizuara, ndonëse të gjitha ato nuk qëndrojnë mirë financiarisht.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është duke u angazhuar për t’ia organizuar një ndeshje miqësore Përfaqësueses së Kosovës, më 17 shkurt. Por, zyrtarët e FFK-së ende nuk japin sqarime se me cilën Përfaqësuese apo klub të huaj ka gjasa më të mëdha të ndeshet reprezentacioni kosovar.

“Qëllimi është që të organizohet ndonjë ndeshje futbolli më 17 shkurt. Është biseduar edhe me Fadil Vokrrin, rreth kësaj çështjeje. Është festë, e cila duhet të nderohet me ndonjë ndeshje futbolli, dhe sigurisht se do ta bëjmë një gjë të tillë. Jemi duke i shqyrtuar mundësitë, në bashkëpunim edhe me selektorin Albert Bunjaku, edhe pse njëherë për njëherë, nuk ka ndonjë emër konkret, të ndonjë ekipi me të cilin pritet të takohet Përfaqësuesja jonë”, deklaroi për Express, sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Ndërsa, edhe Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) po përpiqet t’ia organizojë një ndeshje miqësore Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, edhe pse po has në vështirësi për t’ia arrit qëllimit.

“Jemi duke bërë tentativa që ta organizojmë ndonjë ndeshje ndërkombëtare në Prishtinë. Po mendojmë ta sjellim ndonjë përfaqësuese, por nuk e kemi aspak të lehtë, sepse nuk jemi anëtarë të FIBA-s. Më lehtë do ta kishim për ta sjellë ndonjë klub, por, ne po mendojmë për përfaqësuese. Është edhe datë e lirë në kalendarin e FIBA-s, por në shumicën e shteteve ajo datë do të shfrytëzohet për t’i zhvilluar ndeshjet e Kupës, prandaj e kemi pak vështirë. Por, do të përpiqemi deri në fund”, theksoi për Express, kryetari i FBK-së, Erolld Belegu.

Kurse, Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) është duke bërë përpjekje që në Kosovë ta sjellë Përfaqësuesen e Holandës, apo atë të Belgjikës, për ta zhvilluar një miqësore me Reprezentacionin e Kosovës në konkurrencën e meshkujve. Kurse në konkurrencën e femrave, sipas të gjitha gjasave, më 17 shkurt Përfaqësuesja e Kosovës do të ballafaqohet me atë të Bullgarisë.

“Jemi në negociata me disa përfaqësuese dhe sigurisht që më 17 shkurt do t’i zhvillojmë dy ndeshje miqësore. Në konkurrencën e femrave, reprezentacioni i ynë me gjasë do të luajë kundër Bullgarisë, kurse në konkurrencën e meshkujve do të luajmë ndoshta me Holandën, ose me Belgjikën”, tregoi për Express, sekretari i FHK-së, Izet Gjinovci.

Ndërkohë, edhe Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK) do ta organizojë “Turneun e Pavarësisë” më 17 shkurt. “Sikurse në vitin e kaluar, edhe kësaj radhe do ta mbajmë ‘Turneun e Pavarësisë’. Në këtë turne do të marrin boksierë kryesisht nga vendet e rajonit, por jemi duke e shqyrtuar mundësinë që t’i sjellim boksierët nga Boxing One League, në të cilën ligë jemi të pranuar edhe ne. ‘Turneu i Pavarësisë’ është në kalendarin zyrtar të FBOXK-së, së bashku me turneun ‘Adem Jashari’ dhe atë ‘Lah Nimani’. Të tre këta turne synojmë t’i fusim edhe në kalendarin zyrtar ndërkombëtar”, i tha Express-it, kreu i FBOXK-së, Ramadan Selimi.

Edhe Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK), pritet ta organizojë ndonjë ndeshje miqësore për festën shtetërore. “Për 17 shkurt do të mundohemi ta zhvillojmë ndonjë ndeshje miqësore me Përfaqësuesen e Shqipërisë, ose atë të Maqedonisë, apo me ndonjë përfaqësuese tjetër ose klub. Ende nuk jemi përcaktuar, por sigurisht se diçka do të bëjmë”, tha kryetari i FVK-së, Musa Selimi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›