E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zidan, i mahnitur nga loja e K. Ronaldos

Real Madrid
Kapiteni Raul po mendon ta vazhdojë karrierën në SHBA, pas 15 vitesh në “Bernabeu”

Kristiano Ronaldo nuk ka humbur kohë për t’u shndërruar në një prej elementëve më të rëndësishëm te Reali i Madridit. Mesfushori portugez, i cili u transferua gjatë verës në “Santiago Bernabeu” nga Mançester Junajtid, është përshtatur mjaft mirë në ekipin spanjoll. Paraqitjet e tij janë vlerësuar maksimalisht nga ish-legjenda e klubit, Zinedin Zidan. “Stili i lojës së Ronaldos është magjepsës për t’u parë. është mbresëlënëse se sa pak kohë i është dashur që të përshtatet në La Ligan spanjolle”, deklaroi franko-algjeriani për “Iznews”. “Për mendimin tim, ai është një lojtar i veçantë. Besimi që ka në aftësitë e tij, i ka dhënë një shtysë të gjithë skuadrës. Arritjet e Ronaldos me Realin e Madridit, në një periudhë kaq të shkurtër dhe një moshë kaq të re, janë të jashtëzakonshme”. Ish-lojtari i përfaqësueses franceze, që aktualisht punon si këshilltar në klubin “merengue”, ka folur edhe për rivalët e Realit, Barcelonën. Zidan ka vlerësuar lojën e mesfushorit spanjoll, Andres Iniesta, dhe të sulmuesit argjentinas, Lionel Mesi. “Më pëlqen shumë stili i lojës së Iniestës. Ai është një lojtar kyç për skemat e Barçës dhe gjithmonë vendos në plan të parë skuadrën. Megjithatë, Mesi është ylli absolut i katalanëve. Sa herë që ai prek topin, të gjithë presin të ndodhë diçka në zonën kundërshtare”.
Ndërkohë, Raul duket gati që t’i japë lamtumirën klubit në përfundim të këtij sezoni. Sipas gazetës “Sport”, vendimi i kapitenit legjendar të Realit, dhe një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit europian, lidhet me marrëdhënien e vështirë me trajnerin Pelegrini dhe me bindjen se nuk mund të luajë më në nivele të larta. Pas 15 vitesh në Madrid (17 nëse llogaritet aktivizimi në ekipet zinxhir), karriera e Raul mund të vazhdojë në kampionatin amerikan, atje ku militon edhe Devid Bekam.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›