E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush përfiton nga magjistralja pankombëtare Durrës-Morinë?

1. Ekonomia e një shteti është mbështetësja  kryesore e medieve elektronike e të shkruara. Natyrisht pastaj këtu qon peshë se në cilën spektër politik është i përqendruar kapitali dhe cilët kahe të zhvillimit mbështet. Nëse ka ekonomi të fortë ka edhe shumësi mediesh e laryshi programesh. Nëse ekonomia nuk është për tu lavdëruar, atëherë duket se boset medial, sidomos elektronik hapin sytë majtas e djathtas për të kërkuar mbështetje, natyrisht edhe për tu bërë zëdhënëse e këtyre donatorëve të jashtëm e të brendshëm, të cilët pastaj i kanë kërkesat e veta, i kanë edhe pengesat e veta. Mediet elektronike dhe të shkruara shpesh herë u prijnë zhvillimeve ekonomike, ose të paktën u bëjnë jehonë atyre zhvillimeve. Mirëpo, në rastin shqiptar çuditërisht ndodh e kundërta. Në pjesën më të madhe shumë nga televizionet u bëjnë jehonë disa zhvillimeve politike, ndërsa përpiqen tu bëhen ledh disa zhvillimeve ekonomike, pra bëjnë pengesë. Po të bëheshe rob i pjesës jo të pakët të televizioneve e të gazetave në Shqipëri, atëherë nuk do të informoheshe se në veri të Shqipërisë është duke u bërë njëri ndër projektet më të mëdha rrugore jo vetëm në Shqipëri, por sipas ekspertëve njëri ndër projektet më të mëdha në Evropë. Po të mbështeteshe vetëm në lajmet e komentet që jepeshin në këto televizione e gazeta, atëherë do të krijosh përshtypjen e gabuar se në këtë rrugë të kombit sikurse po e quajnë, apo në këtë rrugë ndër më madhështorët në Gadishullin Ilirik është duke u bërë krimi më i madh i organizuar ndonjëherë, se është duke u thithur kapitali i shtetit në dëm të shtetasve e të kombit etj. Në pjesën më të madhe ata që ndjekin televizionet kabllore po të mos shikonin kanalet e huaja, apo tek-tuk ndonjë kanal shqiptar zor se do ta kishin informacionin e duhur. Derisa mediet e huaja gjenin veçantitë e këtij projekti tash i realizuar (urat gjigante, konfiguracioni i pazakonshëm, tunelet), televizionet e majta e zhurmonin gjithë punën duke e mashtruar opinionin. Të majtët kanë në zotërim televizionet dhe një pjesë të kapitalit, por duket në bashkëpronësi me dike që nuk i shkon për shtatë zhvillimi i trafikut rrugor dhe përpjekja e shtetit për të dal nga izolimi.    
2. Unë besojë se arkitekti ideor, i kësaj rruge kishte parasysh mundësitë e pakufishme të shfrytëzimit racional e të dobishme të kësaj magjistrale që për gjysmën e kombi dmth jetë, por edhe për gjysmën tjetër ka rëndësinë e arteries më dobiprurëse për ekonominë e turizmin e tyre. Rruga Durrës-Kukës i lidh dy shtete shqiptare, pra e lidh ekonominë e njërës më tjetrën. Njëkohësisht lidh Shqipërinë me rajonin, përmes Kosovës duke i dhënë mundësi administratës shqiptare që të shtrijë ndikimin e saj në tërë Gadishullin, por edhe më gjerë. Shqipëria qanë bllokadën rrugore në veri dhe ndihmon që të mos e bllokojnë Kosovën nga veriu, përkundrazi ndihmon që Kosova me ndihmën e Shqipërisë të bëhet ofruese e shërbimeve transitore. Shqipëria realisht pos me rrugë detare, rrugë tjetër për në veri nuk pati (rruga për Mal të Zi e tutje në Kroaci, është bishti i Gadishullit, mund të trajtohet rrugë ndihmëse, por jo rrugë kryesore), kështu që ishte e domosdoshme të hapte krah tutje në veri, sepse edhe në jug pos për të lehtësuar rrugëtimin e mërgimtarëve në Greqi, ndonjë rendësi tjetër të veçantë nuk ka. Greqia prapë është periferia e Evropës nga nuk mund të vazhdohet as në jug - në Afrikë dhe as në lindje në Turqi, Bullgari e gjetiu. Kështu më këtë arterie kryesore - rrugën kombëtare do të zhvillon ekonominë e saj, ti bën më më peshë dy limanet shqiptare Durrësin e Shëngjinin, por njëkohësisht do ta ngjall edhe Vlorën e cila po ashtu mund të marr frymë më lirisht, nëse inkuadrohet në bartjen e mallrave e të udhëtarëve për në veri. Nuk duhet të kemi shumë iluzione, mirëpo në shkallën e tashmë të zhvillimit ekonomik, të industrisë përpunuese, të bujqësisë dhe të tregtisë shqiptarët mund të bëjnë shkëmbim mallrash e idesh vetëm në mes veti. Me fjalë të tjera ata mund të shesin e të blejnë vetëm brenda arealit të tyre në të gjitha qytetet  ku jetojnë bashkëkombësit e tyre, sepse të tjerët vështirë se do të blejnë mallin shqiptar, edhe më pak do të shfrytëzojnë shërbimet shqiptare. Mirëpo, me një konsolidim më të shpejt, më bashkimin e kapitalit shqiptar në të dy shtetet, atëherë ata mund të bëhen më të fortë, më të shkathët dhe të imponohen edhe në tregun rajonal së pari, e pastaj gjetiu. Peshkataria shqiptare tash për tash me sa kam informacion prodhimet e veta i shet vetëm në Kosovë, territoret shqiptare në Maqedoni, eventualisht edhe në Luginën e Preshevës. Bujqësia shqiptare mund të plasojë prodhimet e veta (sidomos ato të hershme e mesdhetare) vetëm në tregun e Kosovës. Dhe këtë gjë mund ta bëjë vetëm me një rrjet të zhvilluar rrugor, sepse me rrugën e deritashme nëpër Elbasan e Qafë-Thanë mallrat jo vetëm që janë vonuar, jo vetëm se jo rrallë janë prishur, por sipas tregtarëve kur kanë kaluar nëpër Maqedoni çmimi i tyre është shtuar, sepse rruga ishte më e gjatë, tarifat transite dhe tarifat e rrugës më të mëdha, kështu që shumë prodhuesve e tregtarëve nuk u leverdiste të bënin tregti më Kosovën, ndërkaq, shtetet e fqinjësisë sllave në përgjithësi kanë qëndrim proteksionist ndaj prodhimeve e shërbimeve shqiptare; Greqia e Bullgaria janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe kanë rregullat e caktuara ndaj mallrave jashtë kësaj bashkësie. Por do ta kenë më lirë e më shpejt po i transportuan mallrat nëpër rrugën e veriut nga Porti i Durrësit.
Pakkush e thotë se kjo rrugë pikë se pari është për shqiptarët-taksapagues, e pastaj edhe për shqiptarët e tjerë që e shfrytëzojnë, mirëpo që në pjesën më të madhe prapë ekonomia e taksapaguesve është me fitim, sepse vijnë turistët sikurse që erdhën sivjet, rritet kapaciteti i limaneve shqiptare për shkarkim-ngarkim të mallrave etj. Pastaj, meqë Shqipëria u në anëtare e NATO-s e lehtësoi depërtimin e kësaj aleance ushtarake nga Porti i Durrësit a Shëngjinit me pajime ushtarake e ushtarë, kur të ketë nevojë tutje në veri, duke e përforcuar në aspektin strategjik Perëndimin dhe njëkohësisht duke ia shtuar shumë rëndësinë Tiranës dhe Prishtinës. Ende trupat ushtarak dhe armatimet e NATO-s në Kosovë vijnë nga Porti i Selanikut, por së shpejti do ta shkurtojnë rrugën.     
Ideatori i kësaj rruge, kryeministri shqiptar duket se është më vizionar dhe më largpamës  se sa liderët e tjerë shqiptar që treguan zemërngushtësi të skajshme, deri në qëndrim armiqësor gati ndaj gjysmës së hapësirë dhe territorit shqiptar. Ata në vend se ta mbështesnin nxituan ta stigmatizojnë dhe ta quajnë diçka të dëmshme, madje-madje kriminale. Të shtyrë nga zilia a nga ndonjë faktor tjetër që nuk është i dukshëm filluan të hedhin thumba sikur kjo rrugë është bërë për ata jashtë shtetit shqiptar, apo për malet e zhveshura të veriut, që është e pa presedencë për shtetet e rajonit apo të botës që një liderë të ketë paragjykime ndaj veriut a jugut të shtetit të vet. Tingëllonte sikur përpiqen që një pjesë të kombit ta nxisin kundër pjesës tjetër!.
3. Rruga Vermicë-Durrës ende nuk e ka emërtimin e duhur, por shpresojmë se edhe kjo gjë do të bëhet. Njeriu më meritor  për ndërtimin e kësaj magjistrale është kryeministri Sali Berisha, ndërsa ideator i rrugës ishte presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova. Në Kosovë spektri i djathtë tashmë kanë bërë një propozim që kjo rrugë të merr emrin e presidentit të ndjerë. Nuk e dimë a e kanë bërë këtë propozim vetëm për medie, apo e kanë dërguar edhe në adresën e duhur. Natyrisht është shteti shqiptar ai që do të vendos, sepse është kapitali i tyre.     

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›