Mbytet në Divjakë 60-vjeçari
LUSHNJE - Mesdita e djeshme ka qenë fatale për një shtetas 60-vjeçar. Ky i fundit, i paidentifikuar ka humbur jetën në bregdetin e Divjakës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:10, kur burri është futur në ujin e detit për t’u larë, por nuk ka arritur të dalë më. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë treguar se pushuesi është futur në ujë, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë ka filluar të kërkojë ndihmë. Sapo janë dëgjuar britmat e 60-vjeçarit, janë lajmëruar uniformat blu, e ndërsa në ndihmë të tij kanë shkuar edhe qytetarë të shumtë. “Dëgjuam që dikush po kërkonte ndihmë dhe u afruam menjëherë. Pamë që ishte një i moshuar që mezi po qëndronte në sipërfaqen e ujit. Nja tre a katër vetë arritën të shkojnë në vendin ku ai kishte filluar të humbiste ndjenjat dhe e nxorën atë në breg.” Megjithë këto lëvizje të menjëhershme, trupi i burrit është nxjerrë në breg pa ndjenja pasi kishte pirë sasi të mëdha uji. Uniformat blu dhe mjekë të ndihmës së shpejtë e kanë shoqëruar të moshuarin për në ambulancën e Divjakës, por fatkeqësisht ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Për identifikimin e viktimës policia ka publikuar edhe disa të dhëna rreth tij. Ai është rreth të 60-ve, me flokë të thinjura pak të rëna dhe në çadrën e tij janë gjetur edhe disa objekte personale, si një kapele kashte, tuta sportive ngjyrë blu me shirita të bardhë një këmishë e bardhë me vija blu si dhe një çantë shpine. m.r