Shahin Berberi Superliga me Kukësin, si kur dilja kampion me Partizanin
Trajneri i kuksianëve thekson se ekipi i tij mundi edhe skeptikët dhe tani synon të jetë sa më dinjitoz në elitën e futbollit shqiptar
Shahin Berberi, ish-futbollisti i njohur i Partizanit dhe kombëtares sonë, është arkitekti i Kukësit të Superligës. Ai ka meritën e tij të padiskutueshme në ngjitjen e këtij ekipi për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar. Trajneri Berberi ndërtoi një ekip dinjitoz për kategorinë e parë, që në fushën e tij regjistroi 14 fitore dhe 1 barazim.
Tani që Kukësi është ngjitur në Superligë, në një prononcim ekskluziv për Sportin shqiptar, trajneri Shahin Berberi tregon sekretet e punës së tij. Suksesi ynë është i pandalshëm. Një vit më parë u ngjitëm nga kategoria e dytë në të parën, ndërsa tani bëmë edhe kalimin historik në Superligë. Rrallë ka ndodhur kjo gjë, aq më tepër për një ekip si Kukësi.
Para çdo ndeshjeje jam munduar që ti inkurajoja lojtarët dhe tu injektoja mendësinë e fituesit. Ata më kanë mirëkuptuar, duke e bërë gjithçka me seriozitetin dhe dëshirën për të qenë edhe ata një ditë në elitë. Gjithmonë kam theksuar se ekipi bëhet me ushtarë dhe jo me gjeneralë.
Gjithmonë e kemi vlerësuar drejt kundërshtarin e radhës, duke mos u marrë kurrë me rivalët. U kam kërkuar lojtarëve të jepnin maksimumin në fushë, duke mos e pasar mendjen te renditja, thotë trajneri i Kukësit.
Mirënjohja Dua të them se, gjatë punës sime 2-vjeçare te Kukësi, jam respektuar, kam qenë i qetë dhe mbi të gjitha ngrohtë. Kam pasur gjithmonë besimin e bashkisë dhe presidencës, kështu që dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë drejtuesit e Kukësit.
Dua të falënderoj edhe tifozët e zjarrtë kuksianë, të cilët sinqerisht që më kujtojnë vitet kur luaja te Partizani. Në Kukës kam gjetur një tifozëri të apasionuar për futbollin dhe ngjitja në Superligë është njësoj si kur fitoja tituj me Partizanin.
Rivalët Dua tu uroj suksese të gjithë rivalëve,por edhe skuadrave të tjera, që i kanë dhënë bukuri garës. Në Lushnjë, ku shkuam pa tre titullarë, treguam forcën tonë reale. U mbyllëm gojën edhe skeptikëve.
Superliga Na takon të festojmë për këtë sukses dhe më pas të mendojmë për Superligën. Është një provë, por ne do të krijojmë një ekip të fortë. Për grupin aktual dua të them se nuk do të heq dorë nga ata që kanë dhënë maksimumin, por sigurisht që do të ketë edhe përforcime, – ka përfunduar trajneri Berberi.
