E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merxha: Elbasani bëri shumë gabime sezonin e fundit

Kapiteni i verdhebluve, Eriol Merxha, kërkon që gjërat të jenë ndryshe sezonin e ardhshëm, që skuadra të jetë sa më rezultative

Futbollistët e Elbasanit kanë marrë pushimet pas një sezoni zhgënjyes, ndërsa drejtuesit, pasi dështuan në përpjekjet për kthimin në Superligë, kanë nisur të mendojnë për strategjinë e sezonit të ri. Plani i tyre është për tu bazuar kryesisht te lojtarët vendës, të cilët e duan me zemër fanellën verdheblu.

Por kuptohet që për objektivin madhor duhen afruar edhe lojtarë cilësorë nga Superliga dhe nga Kategoria e Parë, në mënyrë që grupi të jetë sa më i fortë. Emra konkretë për momentin nuk ka, pasi ende nuk kanë përfunduar të gjitha veprimtaritë. Nga ana e financuesve të Elbasanit është deklaruar se skuadra do të jetë krejt ndryshe nga sezoni i fundit, më cilësore dhe më solide në çdo aspekt.

Merxha Edhe kapiteni i skuadrës verdheblu, Eriol Merxha, shprehet optimist për sezonin e ardhshëm. Ai pranon se Elbasani pati shumë vështirësi gjatë kampionatit të fundit dhe shpreson që sezonin e ri të jetë pretendenti kryesor për kreun. Sezoni që u mbyll para pak ditësh la një shije të hidhur për të gjithë elbasanasit, që nga ne lojtarët, stafi teknik, drejtuesit dhe deri te tifozët.

Jemi të vetëdijshëm që gabuam shumë dhe nuk arritëm ta realizonim objektivin. E rëndësishme tani është që të organmizohemi si duhet për sezonin e ri dhe të jemi skuadra më e fortë në Kategorinë e Parë. Do të ishte mëkat, nëse do të dështonim edhe sezonin e ardhshëm.

Kam besim se drejtuesit e klubit do të dijnë ta menaxhojnë mirë skuadrën dhe ta drejtojnë me sukses drejt Superligës, ku Elbasanit i takon të jetë gjithmonë, sepse është shpallur dy herë kampion, – ka thënë kapiteni Merxha.

Bashkia, fond 15 milionësh për skuadrën

Problemet financiare tek Elbasani duket se kanë marrë fund. Nga burime të besueshme pranë klubit verdheblu dhe bashkisë së qytetit mësohet se ka kaluar një fond prej 15 milionë lekësh për skuadrën. Ky fond do të përdoret për shlyerjen e pagave të prapambetura të lojtarëve.

Gjithashtu, mësohet se sot do të ketë një takim mes kryebashkiakut Qazim Sejdini dhe dy aksionerëve Laze e Çerraga për të ardhmen e skuadrës. Këto janë lajme të mira për tifozët elbasanas, sepse ana financiare është vendimtare për suksesin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›