Trafiku i drogës në Itali, kapen furnitorët shqiptarë
ITALI - Policia italiane ka arrestuar dje dy shqiptarë, të cilët akuzohen si furnitorët e shtatë shpërndarësve të drogës, të arrestuar muajin e kaluar në Imperia. Hetimet e kryera pas operacionit "Beautiful life" (Jetë e bukur) më 10 tetor, i cili arrestoi shpërndarësit, zbuluan emrat e furnitorëve. Kreshnik Sulaj, 28 vjeç dhe Elmir Hoti, 27 vjeç janë dy të arrestuarit e djeshëm nga karabinierët, nën akuzën e trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Sipas policisë italiane, Sulaj është ndaluar në aeroportin e Malpensës, teksa ishte duke u kthyer nga Shqipëria, ndërsa Hoti, është arrestuar në banesën e tij në Diano Marina të vendit fqinj. Fletë arrestet për ta ishin prerë nga gjykata e Imperias. Hoti ishte arrestuar edhe disa vite më parë në kuadrin e operacionit antidrogë "Filo d'Arianna". Mësohet se ushtarakët kanë hetuar në gjendje të lirë edhe tre shqiptarë të tjerë S.S., 22 vjeç, S.K., 26 vjeç, dhe D.S., 28 vjeç të akuzuar për posedim të drogës. ar.ba