E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita në Tiranë, gruaja denoncon zhdukjen e ish-aktivistit të UÇK-së

 

TIRANE - Bashkëshortja denoncon si të zhdukur në Komisariatin e policisë nr.4, ish-aktivistin e UÇK-së, Ismet Kryeziu, 54 vjeç nga Prishtina. Së paku kështu ka treguar në policinë e kryeqytetit bashkëshortja e Kryeziut, Anila Kryeziu (Leli) 29 vjeçe. Ajo ka sqaruar se i shoqi Ismeti, kishte qenë aktivist i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një ndër njerëzit, që kishte punuar për ta themeluar atë, ishte larguar nga banesa. Madje sipas saj, ai kishte fikur edhe telefonin e tij celular dhe nuk i përgjigjej. Për këtë shkak Anila Kryeziu banuese në Prishtinë, ka denoncuar të hënën në komisariatin e Policisë nr.4, largimin nga banesa të burrit të saj. Pas kallëzimit të së shoqes, policia ka shpallur 54-vjeçarin në kërkim, ndërsa janë kryer procedurat e zakonshme rutinë në raste të tilla. Atje ata qëndronin prej më pak se një jave, pasi kishin ardhur nga Prishtina. Ish-aktivisti i UÇK-së, me veprimtari edhe si poet e shkrimtar, prej disa ditësh kishte mbërritur në Tiranë në lagjen Allias, në rrugën "Niko Avrami" për të qëndruar disa ditë tek vjehrri i tij. Këtë udhëtim, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë dhe anasjelltas ish- eksponenti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kryente herë pas here. Por të dielën Kryeziu, pasi ka dalë nga banesa e vjehrrit të tij, nuk është kthyer më në mbrëmje. Edhe pse ata e kanë pritur thuajse gjatë ai nuk është dukur deri ditën e hënë në mesditë. Telefoni i tij sipas burimeve të policisë ishte i mbyllur dhe kjo kishte shtuar edhe më tepër ankthin dhe frikën e familjes për jetën e tij. Për këtë shkak të hënën, Anila ka mbërritur në Komisariatin e policisë nr.4 dhe menjëherë ka kërkuar ndihmën e efektivëve të policisë së këtij komisariati për gjetjen e të shoqit. Pas kallëzimit, efektivët blu janë angazhuar seriozisht në kërkimin për gjetjen e tij. Fillimisht hetuesit dhe specialistët kanë dyshuar se largimi nga banesa mund të ishte një rrëmbim, por verifikimet e para kanë bërë që ata të hedhin poshtë këto dyshime. Ata kanë ngritur dyshimin se Kryeziu, mund të ishte larguar drejt Prishtinës për arsye personale apo familjare të pasqaruara në polici. Gjithsesi, derisa ish-aktivisti i UÇK- së, nuk është bërë i gjallë, policia ka vazhduar ta mbajë atë në listën e personave në kërkim, duke shpërndarë fotografinë e tij në të gjitha pikat e kalimit kufitar si dhe në të gjithë vendin. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›