Besimtarët bektashianë festojnë ditën e ringjalljes
Besimtarët myslimanë bektashianë kanë festuar dje Ditën e Nevruzit, e cila përkon me ditëlindjen e Imam Aliut. Festa e Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri dhe kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane, si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë, çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.
Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai lindi në Anadoll në shekullin XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj, Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri Dita e Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare gjashtë vjet më parë. Në vendin tonë, sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni. Bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare, e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta filluar përsëri në vitin ‘91. Dje, Kryeministri Sali Berisha, uroi besimtarët bektashinj gjatë vizitës së tij në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, ku u prit nga kryetari i saj, Baba Dede Reshat Bardhi. Berisha u uroi të gjithë besimtarëve bektashinj, por edhe mbarë shqiptarëve, festën e Sulltan Nevruzit. "22 Marsi, krahas festës së Sulltan Nevruzit, si një ditë shprese, ringjallje e besimi, shënon edhe ditën e përmbysjes me votën e lirë, të diktaturës më të egër komuniste", tha Kryeministri.
SSSASS